Me Vjosen ,Kosova humbi asetin më të fortë me nderkombetarët
Por midis Glaukut dhe nje “pensioneri konsensual”, per bese preferoj Glaukun !!!
Kreshnik Çollaku
Kosova nuk është Gjermania, Irlanda, Malta apo Islanda. Nuk është një shtet i konsoliduar prej dekadash, me kufij të pakontestuar dhe me sigurinë kombëtare të garantuar.
Kosova është një shtet me sovranitet ende të sfiduar, territor të kërcënuar dhe njohje ndërkombëtare të papërfunduar. Ajo ndodhet në një prej pikave më të ndjeshme të përplasjes gjeopolitike në Ballkan dhe ka kaluar tri dekada jashtëzakonisht të vështira, luftë, çlirim, shtetndërtim, betejë për njohje dhe përpjekje të vazhdueshme për konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Beteja kryesore e Presidentit të Kosovës është jashtë Kosovës, në diplomaci, në siguri, në kancelaritë europiane, në Washington, në NATO dhe në çdo qendër ku merren vendime që prekin të ardhmen e vendit.
Prandaj Kosovës i duhet një president politikisht i formuar, me njohuri të thella të marrëdhënieve ndërkombëtare, me kontakte, autoritet dhe, mbi të gjitha, me besueshmëri ndërkombëtare. Një president që di të hapë dyer, të ndërtojë aleanca, të përballojë presione dhe, kur duhet, të fitojë beteja.
Të kërkosh si zgjidhje një figurë pa profil, vetëm sepse “nuk bezdis askënd” dhe mund të marrë votat e të gjithëve, është keqkuptim i vetë konceptit të konsensusit.
Kosova nuk ka luksin ta shndërrojë Presidencën në një vend pensionimi politik.
Një president që zgjidhet vetëm për të plotësuar kuorumin, që ulet pesë vjet në karrigen e Presidencës dhe nuk prodhon as ndikim ndërkombëtar, as aleanca, as mbrojtje të interesit shtetëror, nuk është kompromis. Është shpërdorim i një institucioni jetik të Republikës.
Madje, në kushtet e Kosovës, më i dobishëm mund të jetë një president i fortë që herë pas here kundërshton, polemizon apo edhe bllokon një vendim të gabuar, sesa një president “konsensual” që nuk kundërshton askënd pikërisht sepse nuk ka peshën për të bërë asgjë.
Kosovës nuk i duhet një president që nuk i prish punë askujt. I duhet një president që i bën punë Kosovës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



