Sulm i tmerrshëm, nuk do të tolerohet
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka reaguar pas një sulmi të armatosur në Minnesota, ku mbetën të vrarë përfaqësuesja demokrate Melissa Hortman dhe bashkëshorti i saj, Mark Hortman. Gjithashtu, u plagos rëndë senatori i shtetit, John Hoffman, së bashku me gruan e tij.
Në një deklaratë të shpërndarë në platformën X nga Sekretarja për Shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, Trump e ka përshkruar ngjarjen si një “sulm i paramenduar kundër zyrtarëve të zgjedhur të shtetit.”
“Kam marrë informacion për të shtënat e rënda që ndodhën në Minnesota, të cilat duket se ishin të drejtuara posaçërisht kundër ligjvënësve. Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, së bashku me FBI-në, po e hetojnë rastin dhe do të ndëshkojnë të gjithë ata që janë të përfshirë, sipas kufijve maksimalë që lejon ligji,” thuhet në deklaratë.
Trump shtoi se “akte të tilla të dhunshme dhe tronditëse nuk do të tolerohen në SHBA,” dhe përfundoi mesazhin e tij duke shprehur mbështetje për qytetarët e Minnesotës, duke i quajtur ata njerëz të mrekullueshëm në një vend të jashtëzakonshëm.
Sipas policisë, autori i dyshuar ishte maskuar si oficer policie – kishte uniformë, stemë dhe automjet të ngjashëm me ata të forcave të rendit – çka i mundësoi hyrjen në rezidencën e viktimave pa ngritur dyshime.
Drejtori i policisë shtetërore të Minnesotës, Dreu Evans, deklaroi se rreth orës 2 të mëngjesit autoritetet morën një telefonatë emergjente që raportonte incidentin ku ishin përfshirë senatori Hoffman dhe gruaja e tij. Më pas, rreth orës 3:35, gjatë një kontrolli të forcave të rendit në banesën e Hortman, ndodhi një përplasje me armë me të dyshuarin, i cili megjithatë arriti të largohej nga vendngjarja.