E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skandali me 100 mijë $, jep dorëheqjen ambasadorja e Trump
Bota

Skandali me 100 mijë $, jep dorëheqjen ambasadorja e Trump

Kimberly Guilfoyle ka njoftuar dorëheqjen nga detyra e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Greqi, pas raportimeve për një kërkesë të dyshuar prej 100 mijë dollarësh drejtuar një donatori të Donald Trump, përpara seancës së konfirmimit të saj vitin e kaluar.

Largimi i saj vjen në një kohë kur, sipas raportimeve, Shtëpia e Bardhë ka kërkuar që ajo të largohet nga posti. Pretendimet për pagesën e dyshuar janë mohuar nga vetë Guilfoyle, e cila ka bërë të ditur se synon të mbrojë emrin dhe integritetin e saj.

Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, diplomatja amerikane vlerësoi punën e kryer gjatë mandatit të saj në Greqi, duke e cilësuar shërbimin si ambasadore si nderin më të madh të jetës së saj.

Ajo falënderoi presidentin Donald Trump dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për besimin e dhënë, ndërsa renditi si arritje forcimin e marrëdhënieve me Athinën, zgjerimin e eksporteve amerikane të gazit natyror të lëngshëm drejt Evropës dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

Guilfoyle mohon akuzat: Do të mbroj emrin dhe reputacionin tim

Në deklaratën e saj, Guilfoyle u ndal veçanërisht te pretendimet e publikuara së fundmi, duke i cilësuar ato si të pavërteta. Ajo theksoi se nuk do të lejojë që këto akuza të dëmtojnë imazhin e saj pas dekadash në shërbimin publik.

“Dëshiroj gjithashtu të trajtoj akuzat e ngritura së fundmi ndaj meje. Këto akuza janë të pavërteta dhe kam ndërmend të mbroj me vendosmëri emrin, reputacionin dhe integritetin tim”, deklaroi ajo.

Guilfoyle u shpreh se gjatë mandatit të saj kishte punuar për të zbatuar politikën “America First” të Trump, për të forcuar partneritetin strategjik me Greqinë dhe për të krijuar mundësi të reja për bizneset amerikane në rajon.

Sipas saj, puna e ambasadës ka ndihmuar gjithashtu në rritjen e rolit të SHBA-së në sektorin energjetik dhe në kufizimin e varësisë evropiane nga energjia ruse.

Diplomatja vlerësoi edhe bashkëpunimin me sekretarin Marco Rubio, si dhe kontributin e stafit diplomatik amerikan gjatë periudhës së saj në Athinë.

“Përkushtimi im ndaj Trump nuk do të përfundojë kurrë”

Pavarësisht largimit nga posti, Guilfoyle theksoi se mbështetja e saj për presidentin amerikan dhe lëvizjen “America First” do të vijojë.

“Edhe pse koha ime si ambasadore mund të jetë duke ardhur drejt fundit, përkushtimi im ndaj presidentit Trump, lëvizjes America First dhe vendit që dua nuk do të përfundojë kurrë”, u shpreh ajo.

Në përfundim të deklaratës, Guilfoyle përsëriti mirënjohjen për mundësinë që iu dha për të përfaqësuar SHBA-në në Greqi, duke e cilësuar këtë përvojë si privilegjin më të madh të jetës së saj profesionale.

Ajo e mbylli mesazhin me një thirrje patriotike në mbështetje të presidentit Trump, diplomatëve amerikanë dhe forcave të armatosura të vendit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.