Dosja e errët e barnave/ Motër e vëlla kontrollojnë shëndetësinë shqiptare me tendera pa garë, ilaçe të skaduara dhe favore qeveritare
Publik.al sjell një nga investigimet më të rënda mbi skemën e rrënjosur të korrupsionit në sistemin shëndetësor shqiptar, ku në qendër janë një motër dhe një vëlla: Merita Sheqi dhe Petrit Maho. Dyshen familjare që, përmes një rrjeti kompanish farmaceutike, kanë përfituar me qindra tendera publikë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe spitalet shtetërore shpesh pa garë, me çmime të fryra dhe me ilaçe që rrezikojnë jetën e pacientëve.
750 tendera me një dorë nga Rejsi Farma tek resorti farmaceutik
Vetëm përmes dy prej kompanive të tyre më të njohura, “Rejsi Farma” dhe “Intermed”, ata kanë përfituar rreth 750 tendera në pak vite. Por lista nuk mbaron këtu: “Noval”, “Beata”, “Vetal” dhe “Noval Laboratory” janë pjesë e skemës së organizuar që mban peng sistemin e barnave në vend.
Në një vend normal, një firmë që shkon në tender pa asnjë konkurrent tjetër dhe fiton me 99% të fondit limit, do të ngjallte alarm. Në Shqipëri, kjo është bërë praktikë e përditshme. Kështu ndodhi edhe në 13 mars 2025, kur “Rejsi Farma” fitoi tenderin për barnat e Onkologjikut me një ofertë 610 milionë lekë, thuajse e barabartë me vlerën maksimale të përcaktuar nga QSUT. Kontrata u firmos brenda pak ditësh, pa asnjë transparencë.
Në tenderat që futet “Rejsi Farma” nuk paraqitet asnjë kompani sepse fituesi është i paracaktuar. Prokurimi i fundit, për ilaçet e Onkologjikut tregon se si ky klan familjar e ka kapur Shëndetësinë për fyti.
Bëhet fjalë për tenderin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me objekt “Blerje bari Daratumumab, 400 mg, flakon” me afat 24-muaj ( Artikuj farmaceutikë).
Ndërsa fondi limit që arkëton operatori fitues është 610 478 800,00 lekë pa TVSH. Tenderi është mbajtur më 13 mars 2025 dhe vetëm pas 6 ditëve është shpallur fituesi. Në këtë procedurë prokurimi ka marrë pjesë vetëm Rejsi FARMA SHPK, e cila ka bërë ofertë sa 99% e fondit limit, 610 448 000,00 lekë pa TVSH. Me shpejtësi të madhe, nën justifikimin se ky është një ilaç shumë i kërkuar për sëmundjet e kancerit, kontrata është firmosur më 2 prill 2025.
Ky është dokumenti që saktëson se vetëm 15 % e kontratës do të furnizohet menjëherë, pjesa tjetër për dy vjet. Të mjerët pacientë të Onkologjikut që varen nga këto lloj kontratash me një kompani që e ka zakon të sjellë ilaçe të skaduara.
Kjo ishte një nga gostitjet e fundit që bëri ish-drejtoresha e QSUT, Alma Cani, e cila dy javë më pas do të zëvendësohej nga Donjeta Bali.
Tenderi është shënuar nga Open Data Albania me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
Barnat e skaduara dhe pacientët që presin mëshirë
Sipas dokumentacionit zyrtar, vetëm 15% e kontratës do të realizohet menjëherë, ndërsa pjesa tjetër shpërndahet përgjatë 2 viteve një tjetër truk burokratik për të mbyllur sytë ndaj mungesës reale të furnizimit. Ndërkohë pacientët onkologjikë varen jetikisht nga këto barna. Dhe kjo kompani ka një histori të errët: Raporti i KLSH ka zbuluar se “Rejsi Farma” ka magazinuar mbi 12 mijë copë barna të skaduara, me vlerë mbi 400 mijë euro të cilat dyshohet se janë hedhur sërish në qarkullim përmes skemave të rimbursimit.
Një raport i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon se Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sidomos kur ishte ministre Ogerta Manastirliu, në bashkëpunim me depot farmaceutike, një rrjet farmacish dhe mjekësh, janë përfshirë në skema mashtrimi dhe shkeljesh të rënda me barna të skaduara, receta fiktive dhe skema të tjera zhvatje.
Në listën e depove farmaceutikë të mbushura me ilaçe të skaduara, të cilat mund të hidhen në treg dhe të përfshihen në skemën e rimbursimit, është edhe Rejsi Farma (J91419001U). Gjatë kontrollit që ka kryer FSDKSH, në 21 dhjetor 2022, në depon importuese farmaceutike Rejsi Farma janë konstatuar 18 medikamente të skaduara, në sasinë 12 mijë copë, me vlerë mbi 400 mijë euro.
Afati i skadencës për këto ilaçe të rimburueshme kishte kaluar mbi 1 vit. Sipas KLSH-së, për këto medikamente nuk ka një dokument ose proces-verbal të lëshuar nga autoritetet kompetente si dhe nuk është kryer procedura e rregullt për nxjerrjen jashtë përdorimit të tyre, duke mos njoftuar Drejtorin Rajonale Tatimore përkatëse nën juridiksionin të cilës i përket, si dhe duke mos marrë miratim nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, sipas përcaktimeve ligjore.
Për këto barna nga grupi i kontrollit është mbajtur proces-verbali me shkrim dore, i pa shoqëruar më evidenca fotografike të mjedisit të veçuar dhe të barnave me mbishkrimin të skaduara, veprime të cilat janë në kundërshtim me ligjin dhe favorizuese për subjektin Rejsi Farma.
Grupi i kontrollit (Shpend Stajku, Enida Hoxhaj, Evarist Jaku, Bledar Gallushi dhe Dorjan Hysi) ka përzgjedhur vetëm 55 bama që ka dashur Merita Sheqi nga 146 barna të miratuara sipas kontratës së lidhur midis subjektit “Rejsi Farma” SHPK dhe FSDKSH-së.
KLSH ka konkluduar se “mungesa e kryerjes në kohë dhe të dokumentuar sipas përcaktimeve të kuadrit rregullator tatimor dhe të marrëveshjes kontraktuale për rimbursim në rastin e daljes së barnave jashtë përdorimit, sjell risk në gjendjen e saktë reale inventariale të barnave të rimbursueshme sipas LBR-së, si dhe në nivelin e rimbursimit të përfituar nga Depo-Importuese “Rejsi Farma”, dhe gjithashtu riskun e rifutjes në qarkullim të barnave të skaduara me qëllim përfitimin e rimbursimin, por me pasoja në shëndetin e pacientëve“.
Tendera si karamele para dorëheqjes
Pak ditë para largimit, drejtoresha e atëhershme e QSUT, Alma Cani, shpërndau tendera me vlera marramendëse, si ai i 36 milionë lekëve për barna të anuluara apo ai i 400 milionë lekëve për barna për 24 muaj. “Rejsi Farma” dhe kompanitë mike si “Fufarma” e Isuf Berberit apo “PEGASUS” e Janis Karathanos, ishin pjesë e “tortës”. Ishte një festë e fundit korrupsioni para dorëzimit të postit te Donjeta Bali.
Kështu Rejsi Farma është sërish pjesë e tortës së tenderit 400 milionë lekësh për blerje ilaçesh, një procedurë që më parë ishte anuluar.
Përshkrimi i shkurtër i kontratës është “Blerje barna te anuluara për mbulimin e nevojave 24 mujore”, me fond limit 36,835,425.13 leke pa TVSH.
Këtë kontratë kanë lote edhe Fufarma e oligarkut Isuf Berberi dhe “PEGASUS.” e Janis Karathanos.
Në këtë valë tenderash, është qerasur edhe Ermal Rizaj, pronari i “O.E.S DISTRIMED” Sh.p.k. Ky ka marrë tenderin 174,998,980 leke pa TVSH ku ka pasur mungesë totale konkurrence. Tenderi kishte objekt “Blerje materiale mjekësore specifike për QSUNT për 24 muaj”.
Merita Sheqi, e preferuara e çdo ministre
Emri i Merita Sheqit del vazhdimisht në tenderat më të dyshimtë. Në 10 shkurt 2025, me autorizim të ministres Albana Koçiu, ajo fitoi 5.7 milionë euro në një tjetër tender me vetëm një operator. Kjo është skemë e pastër klientelizmi: barnat që mund të bliheshin me 30% më lirë, i jepen një kompanie të vetme, në emër të një marrëveshjeje kuadër. Edhe ky tender është shënuar me flamur të kuq nga Open Data Albania për rrezik të lartë korrupsioni.
Merita Sheqi merr pjesën e luanit. Në 10 shkurt 2025, komisioni i tenderit i autorizuar nga ministrja Albana Koçiu ka dhënë 5.7 milionë euro në një procedurë me një pjesëmarrës, për barba që mund të blihen me çmime 30% më të lira.
Kështu është vepruar në tenderin me objekt “L ot5 Ixazomib B4- Blerje barna të reja për nevojat e spitaleve”, ndarë në 15 lote – Marrëveshje Kuadër me disa operatorë ekonomik (një OE të vetëm të suksesshëm për sejcilin lot)- ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara – me afat 24 muaj” me fond limit/vlera e pritshme e kontratave në total prej 919,695,241 Lekë pa TVSH. AK/Spitali, QSUT, QSR “Shefqet Ndroqi”, SUT”.
Në lojë ishin 563 536 612,00 lekë që ishin paracaktuar për kompaninë “Rejsi Farma” shpk. Edhe ky tender është vlerësuar me flamur korrupsioni.
Skema, rrjeti dhe heshtja shtetërore
Në qendër të kësaj afere gjigante qëndron heshtja e shtetit: asnjë hetim serioz, asnjë përgjegjësi penale, asnjë ndalim për tenderat. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vërtetuar se procedurat e heqjes nga qarkullimi të barnave të skaduara nuk janë respektuar, duke lënë hapësirë për manipulime financiare dhe rrezik për jetën e pacientëve. Dokumentet zyrtare janë mbajtur me shkrim dore, pa fotografi apo evidenca, në shkelje të plotë të ligjit.
Në fund, pyetja mbetet: A do të veprojë SPAK? Apo “Rejsi Farma” dhe klani Sheqi–Maho do të vazhdojnë të kontrollojnë me një dorë të padukshme tenderat, barnat, dhe vetë shëndetin e shqiptarëve?