Alarmi i KLSH: Mbi 100 mijë barna të skaduara në treg, spitalet pa ilaçe

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur alarmin për situatën e rëndë në sektorin farmaceutik dhe shëndetësor në vend, duke evidentuar shkelje të shumta në raportin vjetor të dorëzuar në Kuvend për vitin 2025.

Sipas raportit, mbi 102 mijë njësi barnash kanë dalë në treg përmes farmacive me afat skadence të përfunduar ose shumë pranë tij, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve. Konkretisht, nga auditimi i sistemit “e-depo” për vitin 2024 janë konstatuar 102,778 njësi barnash të shitura me të njëjtën datë skadence me ditën e hyrjes në farmaci, si dhe 143,598 njësi të tjera me afat skadence vetëm 1–5 ditë pas daljes nga depot.

Auditimi i kryer ndaj Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor nxjerr në pah mungesë serioze kontrolli në qarkullimin e barnave, ndërsa evidentohen edhe probleme të theksuara në furnizim, përfshirë mungesa të zgjatura dhe vonesa në shpërndarje.

Një tjetër shkelje e rëndë lidhet me daljen e barnave spitalore në tregun e hapur, në kundërshtim me ligjin. Sipas raportit, janë konstatuar edhe transaksione me fatura zero, duke ngritur dyshime për përfitime të pajustifikuara financiare nga subjektet farmaceutike.

Raporti thekson gjithashtu dobësi në sistemin e kontrollit të brendshëm, mungesë verifikimi të çmimeve dhe monitorim të pamjaftueshëm të zinxhirit të furnizimit. Probleme serioze janë evidentuar edhe në listën e barnave të rimbursueshme, ku janë përfshirë medikamente pa çmim të miratuar, pa kontrata aktive apo të deklaruara si të pezulluara në furnizim.

Ndërkohë, një nga shqetësimet më të mëdha mbetet mungesa e barnave antitumorale. Sipas raportit, 46% e barnave të autorizuara për trajtimin e kancerit nuk janë importuar asnjëherë gjatë periudhës së auditimit, duke vënë në pikëpyetje funksionimin e mekanizmave të furnizimit.

Për këtë situatë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ngarkon me përgjegjësi institucionet kryesore të sistemit shëndetësor, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, QSUT-në, FSDKSH-në dhe Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, duke theksuar mungesën e bashkëpunimit dhe masat e pamjaftueshme për garantimin e sigurisë së pacientëve.

Publikuar nga Publik Media