E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ministria e Ballukut “gllabëron” buxhetin
Ekonomi

Ministria e Ballukut “gllabëron” buxhetin

Shkurtohen fondet për arsimin e shëndetësinë

Ndryshimet e miratuara në mes të vitit për buxhetin 2025 zbulojnë një prirje alarmante të qeverisë: fondet për shëndetësinë dhe arsimin po shkurtohen, ndërsa rritet financimi për infrastrukturën, kryesisht në sektorë që kontrollohen nga ministrja Belinda Balluku.

Sipas Aktit Normativ nr. 6, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përfituar një shtesë prej 2.85 miliardë lekësh, duke e çuar buxhetin e saj total në 76.88 miliardë lekë – një rritje prej 4% krahasuar me fillimin e vitit. Këto fonde janë kanalizuar veçanërisht në projektet rrugore, të cilat përfitojnë 2 miliardë lekë më shumë (+6.6%). Po ashtu, u shtuan fondet për ujësjellës-kanalizime (+864 milionë lekë) dhe për energjinë (+200 milionë lekë).

Ndërkohë, arsimi dhe shëndetësia dy shtyllat e kapitalit njerëzor  janë lënë në harresë. Ministria e Arsimit ka pësuar një ulje buxheti prej 100 milionë lekësh, ndërsa arsimi universitar është prekur ndjeshëm me një shkurtim prej 300 milionë lekësh (-2%). Vetëm kërkimi shkencor ka parë një rritje modeste prej 100 milionë lekësh.

Situata është edhe më dramatike në sektorin e shëndetësisë, ku buxheti është ulur me 1 miliard lekë (-1.3%). Goditja më e fortë bie mbi shërbimet e kujdesit parësor, që janë shkurtuar me 1.3 miliardë lekë (-19.3%) – një goditje e rëndë për pikën e parë të kontaktit të qytetarëve me sistemin shëndetësor. Edhe shëndeti publik ka humbur 334 milionë lekë (-6.7%), duke vënë në rrezik programet e vaksinimit, kontrollin e epidemive dhe parandalimin e sëmundjeve.

Kjo filozofi buxhetore e shpenzimeve tregon se qeveria Rama, nën drejtimin e ministrave si Balluku, vijon të japë përparësi betonit, jo njerëzve. Ndërkohë që shqiptarët largohen nga vendi për mungesë mundësish, qeveria zgjedh të investojë më shumë në rrugë sesa në dije e shëndet. A është ky një buxhet për zhvillim, apo një tjetër plan për pasurimin e klientelës së pushtetit?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.