Një valë e re sanksionesh kundër Rusisë po merr formë në Kongresin Amerikan, ndërsa një projektligj i gjatë në pritje ka mbështetjen e presidentit Donald Trump, i cili u shpreh të martën se është “i ngopur” me sjelljen e presidentit rus Vladimir Putin.
Senatori republikan nga Karolina e Jugut, Lindsey Graham, një nga hartuesit kryesorë të projektligjit, tha se Trump i ka dhënë “dritën jeshile” për të çuar përpara procedurat.
“Po ecim përpara,” u shpreh Graham për median Politico, duke shtuar se Trump i kishte thënë: “Ka ardhur koha të veprojmë, prandaj do të veprojmë.
Projektligji ka marrë mbështetjen edhe të udhëheqësit të shumicës republikane në Senat, John Thune, dhe të disa senatorëve të tjerë, të cilët paralajmëruan se gjatë kësaj jave do të ketë njoftime konkrete për avancimin e tij.
Kjo dinamikë mund të çojë në dorëzimin për votim të projektligjit brenda këtij muaji, pas një periudhe të gjatë në ngërç.
Shtysa e re për vendosjen e sanksioneve vjen pas deklaratave publike të Trump-it, i cili të martën shprehu zhgënjimin e tij për refuzimin e Putinit për të nisur bisedime paqeje me Ukrainën, duke lënë të kuptohet se është i hapur për të mbështetur projektligjin e sanksioneve.
Në prapaskenë, Graham dhe senatori demokrat Richard Blumenthal kanë kryer ndryshime në draftin fillestar, duke i dhënë presidentit më shumë fleksibilitet për heqjen eventuale të sanksioneve.
Ndër të tjera, ndërsa versioni fillestar parashikonte një përjashtim 180-ditor për vendet që blejnë naftë ose uranium rus, drafti i ri shton një periudhë të dytë 180-ditore, e cila do të kërkojë votë të veçantë në Kongres për të hyrë në fuqi.
“Jam i bindur se presidenti është gati të veprojë,” përsëriti Graham.
Shtëpia e Bardhë nuk komentoi deklaratat e Graham dhe u referua fjalimeve publike të Trump-it të dhëna më herët gjatë ditës.
Megjithëse sanksionet nuk pritet të vihen në votim brenda kësaj jave, Thune bëri të ditur se është në koordinim të ngushtë me Shtëpinë e Bardhë dhe Dhomën e Përfaqësuesve për të planifikuar hapat e ardhshëm.
“Do të kemi më shumë për të thënë më vonë gjatë javës,” deklaroi ai, duke nënvizuar se ekziston “interes i madh” për të çuar përpara projektligjin.