E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Një mbrëmje historike për futbollin shqiptar të Tetovës!
Lajme

Një mbrëmje historike për futbollin shqiptar të Tetovës!

Trajneri Beqiri pas kualifikimit të Shkëndijës: Në futboll nuk fitojnë milionat, por pasioni!

Një mbrëmje e paharrueshme për futbollin shqiptar dhe për qytetin e Tetovës! Shkëndija ka shkruar një faqe të artë në historinë e saj, duke mposhtur me rezultat 2-1 FCSB-në në Bukuresht dhe duke siguruar kualifikimin në raundin e tretë eliminator të UEFA Champions League me rezultat të përgjithshëm 3-1. Në një ndeshje plot emocione, ku zemra dhe guximi mbizotëruan mbi emrin e madh të kundërshtarit, golat e realizuar nga Latifi (33′) dhe Kërstevski (88′) përmbysën avantazhin e hershëm të rumunëve me golin e Tschisottit (28′).

Trajneri Jeton Beqiri, i emocionuar pas fitores, theksoi se ky sukses është rezultat i një pune të përbashkët.

“U thashë futbollistëve që vetëm me besim dhe guxim mund të triumfojmë këtu. E dija që do të kishim rastet tona dhe për fat të mirë i shfrytëzuam. Kjo është arritje për të gjithë klubin, nga investitorët, administrata, futbollistët, deri te tifozët tanë të jashtëzakonshëm.”

“Ballistët”, forca e padukshme e Shkëndijës

“Nuk kam fjalë për ‘Ballistët’. Ata janë tifozët më të mirë në botë. Të na mbështesin në Bukuresht, në këtë mënyrë, është diçka që e bën këtë fitore edhe më të veçantë”, tha Beqiri, duke shtuar se prania e tyre ishte frymëzuese dhe jetike për ekipin.

Provokimet dhe përgjigjja në fushë

I pyetur për deklaratat nënçmuese të drejtuesve të FCSB-së para ndeshjes, Beqiri reagoi me qetësi:

“Nuk më interesojnë deklaratat. Në futboll nuk fitojnë milionat, por zemra dhe pasioni. Dhe fushën e fituam ne.”

Qarabag, sfida e radhës

“Qarabagu është kundërshtar shumë serioz dhe i organizuar. Por ne do ta respektojmë fanellën që mbajmë dhe do japim maksimumin. Të tjerat do t’i tregojë fusha.”

Kritikë ndaj lojës, por krenari për rezultatin

“Nuk jam i kënaqur me mënyrën si luajtëm, sidomos në pjesën e parë. Por ndonjëherë, kur merr rezultatin, gjithçka justifikohet. Tani që kemi siguruar grupet e Conference League, presioni do të bjerë dhe mund të jemi edhe më të rrezikshëm.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.