SIGAL i Avni Ponarit merr paratë dhe nuk paguan dëmet
SIGAL – kampion i dëmeve të papaguara nën kontrollin e Avni Ponarit
Tregu i sigurimeve në Shqipëri po përballet me një degradim alarmant. Çdo vit, qytetarët paguajnë gjithnjë e më shumë për sigurimet motorike, por në rast aksidenti marrin gjithnjë e më pak dëmshpërblime.
Në qendër të këtij fenomeni që ka ngritur pikëpyetje mbi rolin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) qëndron SIGAL, kompania më e madhe e tregut, e cila ka grumbulluar të ardhurat më të mëdha, por që rezulton edhe kampione në dëmet e papaguara, sidomos pasi ka kaluar nën kontrollin e plotë të Avni Ponarit.
Të dhënat alarmante: 1 në 3 dëme të papaguara i takojnë SIGAL
Sipas të dhënave zyrtare të AMF, gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, kompania SIGAL përbën 31% të totalit të dëmeve të papaguara në tregun e sigurimeve “Jo jetë”.
Kjo do të thotë se një në tre dëme të lëna pezull në treg i përket SIGAL, duke e renditur atë si institucionin më problematik për dëmshpërblimet.
Rritje e të ardhurave, ulje e dëmshpërblimeve
Pavarësisht rritjes së të ardhurave, pagesat e dëmeve nga SIGAL janë në rënie të vazhdueshme:
-
Të ardhurat nga sigurimet motorike u rritën me 13%, duke arritur në 20 milionë euro (janar–qershor 2025).
-
Por kompania pagoi vetëm 6 milionë euro dëme, një ulje prej 7.5% krahasuar me një vit më parë.
Kompani të tjera më të vogla në treg, me më pak kontrata sigurimi, kanë paguar më shumë dëmshpërblime se SIGAL – një tregues i qartë i shmangies së detyrimeve ndaj klientëve.
Ulja mujore e dëmshpërblimeve (2025)
-
Mars: -3%
-
Prill: -1.28%
-
Maj: -4.83%
-
Qershor: -7.5%
Këto shifra tregojnë se rënia e pagesave nisi që në momentin kur Avni Ponari rifitoi kontrollin e plotë të kompanisë, pas largimit të Uniqa Group Austria.
Një treg sigurimesh në degradim
Situata nuk kufizohet vetëm te SIGAL. E gjithë industria e sigurimeve motorike po ndjek të njëjtin model: rritje e primeve të sigurimit dhe ulje e dëmshpërblimeve.
-
Në 6 muajt e parë të vitit 2025, sektori mblodhi 87 milionë euro të ardhura nga sigurimet motorike.
-
Nga këto, u paguan vetëm 23 milionë euro dëme, shumë më pak se rritja e arkëtimeve.
Kjo do të thotë se shqiptarët paguajnë sigurime, por nuk marrin dëmshpërblime, duke e shndërruar siguracionin nga një mjet mbrojtjeje për qytetarët në një mekanizëm fitimi për kompanitë.
Roli i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare
Në qendër të kritikave është AMF, institucioni që ka humbur funksionin e rregullatorit dhe po shihet gjithnjë e më shumë si noter i interesave të kompanive të sigurimeve.
Një shembull i qartë ishte miratimi i koeficientëve të rinj të rrezikut në janar 2025, të cilët përfitonin qartë kompanitë, por dëmtonin portofolin e qytetarëve. Ky ishte sinjali i parë i ndryshimit të kursit të autoritetit, që sot akuzohet për shpërfillje të interesit publik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



