Si prokurorja Rabiana Halili shiti gjakun e viktimës për një tokë
Skandali i “IMT” Durrës e vërteta pas arrestimit të kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës, Ardian Halili
Nga Av Arben Llangozi
Arrestimi i kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës, Ardian Halili, për ndërtim të paligjshëm, u shitet qytetarëve si një sukses i madh i drejtësisë. Por në të vërtetë ky është vetëm tym dhe hi në sy. Një show për të mbuluar një skandal shumë më të madh, ku korrupsioni nuk ndalet tek zyrtarët vendorë, por shkon deri në zemër të prokurorisë.
Le të themi gjërat hapur, Ardian Halili nuk është një funksionar i zakonshëm që u deh nga betoni dhe lejet e ndërtimit.
Ai është bashkëshorti i ish-prokurores Rabiana Halili, një emër i sistemit të drejtësisë që sipas informacioneve tona ka përdorur postin e saj për të vjedhur një pronë.
Po, një pronë e marrë nga një qytetar i arrestuar për një aksident rrugor, i cili nuk kishte para për të paguar drejtësinë e korruptuar dhe u detyrua të shlyente me pasurinë e tij. Ky është thelbi: drejtësia është shitur mbi gjakun e një njeriu.
Nëse ky nuk është korrupsion i pastër, atëherë çfarë është? Nëse ky nuk është krim i organizuar brenda prokurorisë, atëherë ku fillon krimi i organizuar?
Ironia është se të gjithë flasin për “drejtësi të re”, për reforma, për SPAK-un që nuk kursen askënd. Por ja ku kemi një rast tipik ku gjurmët të çojnë drejt prokurorisë, dhe papritur të gjithë bëhen memecë. Arrestohet kryeinspektori për një godinë pa leje, ndërsa prokurorja që ka marrë tokën me gjak, hesht, shëtit e lirë dhe mbase jep edhe leksione morale mbi drejtësinë.
Kjo nuk është vetëm hipokrizi. Kjo është tallje me qytetarët, është fyerje për çdo njeri që ende beson se ligji ka kuptim në këtë vend.
Prandaj, pyetja është e thjeshtë: Ku është SPAK? Pse nuk heton këtë rast? Apo SPAK bën selektivisht “heroin” vetëm aty ku i leverdis politikisht?
Nëse ky rast mbetet i pandëshkuar, atëherë reforma në drejtësi është një dekor i rremë, një kulisë ku shfaqet një teatër i shëmtuar korrupsioni.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



