Këshilli Bashkiak i Tiranës mblidhet të martën!
Këshilltarët bashkiakë të PS-së për Tiranën u mblodhën pasditen e sotme në selinë e partisë, për të shqyrtuar porosinë e Ramës se Erion Veliaj duhet shkarkuar nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës.
Siç bëhet me dije, këshilltarët socialistë morën vendim që t’i paraqesin Këshillit bashkiak në mbledhjen e ardhshme, të martën më 23 shtator kërkesën për shkarkimin e Veliajt, dhe nisjen e procesit për zgjedhje të jashtëzakonshme për bashkinë e kryeqytetit.
Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, këshilltarët socialistë do të përdorin si argument mungesën e tij në detyrë për tre muaj.
Ligji për Vetqeverisjen Vendore përcakton në Nenit 62 se shkarkimi i kryetarit të Bashkisë propozohet nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë tre-mujore të pandërprerë.
Në mbledhjen e këshilltarëve socialistë, e mbajtur në selinë e PS-së, u vendos që për procesin e shkarkimit të ndërmerret një nismë e re nga vetë ata dhe nuk do të shfrytëzohet kërkesa e depozituar nga këshilltarët demokratë.
Kujtojmë se Veliaj ndodhet në qelitë e paraburgimit që prej 10 shkurtit, kur u arrestua me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve ndaj tij për korrupsion dhe pastrim parash.
Sakaq, kryeministri Rama në mbledhjen e Asamblesë së PS-së më 11 shtator, kërkoi hapjen e procedurave për shkarkimin e Veliajt si kryebashkiak dhe nisjen e procesit për zgjedhje të reja.
Rama zgjodhi si kandidate socialiste për bashkinë Tiranë, Ogerta Manastirliun.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



