“Kambanë alarmi” nga OBSH-ja, kërcënohen 1 miliard njerëz
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar për një situatë të rëndë lidhur me përhapjen e hipertensionit të pakontrolluar në nivel global, duke theksuar se aktualisht 1.4 miliardë njerëz vuajnë nga kjo sëmundje, ndërsa vetëm 1 nga 5 individë ka mundur ta mbajë nën kontroll.
Në raportin e dytë botëror mbi hipertensionin, janë identifikuar boshllëqe të mëdha në fushat e parandalimit, diagnostikimit dhe trajtimit të kësaj sëmundjeje, veçanërisht në shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Në shumë prej këtyre shteteve, qasja në barnat e rekomanduara nga OBSH-ja është e kufizuar, ndërkohë që infrastruktura shëndetësore dhe stafi i kualifikuar mbeten të pamjaftueshme.
Vetëm 28% e këtyre shteteve raportohet se kanë mundësi të ofrojnë barnat për trajtimin e hipertensionit në nivelin e kujdesit parësor, krahasuar me 93% të vendeve me të ardhura më të larta.
Hipertensioni është një prej shkaktarëve kryesorë të sëmundjeve kardiovaskulare, përfshirë atakun në zemër, goditjet në tru dhe sëmundjet kronike të veshkave. OBSH-ja paralajmëron se mosmarrja e masave të shpejta do të çojë në miliona vdekje të parakohshme dhe një ngarkesë të madhe ekonomike, që pritet të arrijë 3.7 trilionë dollarë brenda këtij viti në shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i Përgjithshëm i OBSH-së, ka theksuar se vendet kanë mundësi dhe mjete për të ndryshuar këtë situatë, nëse investojnë në shërbime shëndetësore cilësore dhe integrojnë trajtimin e hipertensionit në kujdesin shëndetësor parësor. Ai theksoi se çdo orë humbin më shumë se 1,000 jetë nga sëmundje që mund të parandalohej.
Raporti i OBSH-së thekson gjithashtu se disa shtete kanë arritur përparim falë politikave të forta shëndetësore, rritjes së ndërgjegjësimit dhe përmirësimit të qasjes në trajtimet e nevojshme. Megjithatë, ende mbeten sfida të mëdha, nga mungesa e pajisjeve matëse për presionin e gjakut, ilaçet e shtrenjta, mungesa e protokolleve të trajtimit dhe dobësitë e sistemeve të informacionit shëndetësor.
OBSH-ja apelon për një angazhim të menjëhershëm nga shtetet, përmes reformave të nevojshme, mbështetjes financiare dhe një angazhimi politik më të fortë, për të ndaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje të heshtur, që po bëhet një krizë globale shëndetësore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



