Vjen lajmi i hidhur për emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe
Qeveria britanike ka shpallur sot planin për krijimin e një karte identiteti dixhitale për qytetarët dhe banorët e përhershëm, një nismë e paprecedentë në Mbretërinë e Bashkuar, ku çështja e identitetit ka qenë prej dekadash temë debati.
Karta nuk do të jetë fizike, por do të ruhet në telefonat celularë. “Ajo do ta bëjë më të vështirë punën e paligjshme në vend dhe njëkohësisht do të ofrojë përfitime për qytetarët, si mundësia për të provuar identitetin e tyre për të aksesuar shpejt shërbimet thelbësore”, tha kryeministri Keir Starmer në një deklaratë.
Aktualisht, britanikët nuk kanë karta identiteti dhe përdorin dokumente të tjera zyrtare, si pasaportat apo lejet e drejtimit, për të vërtetuar identitetin e tyre. Karta e fundit u hoq pas Luftës së Dytë Botërore.
Qeveria sqaron se deri në vitin 2029, pra deri në fund të mandatit aktual parlamentar, karta dixhitale do të jetë e detyrueshme për të vërtetuar të drejtën për punë në Mbretërinë e Bashkuar. Kontrolli i saj do të bëhet pjesë e verifikimeve që punëdhënësit tashmë janë të detyruar të kryejnë. Me kalimin e kohës, ajo pritet të shërbejë edhe për akses në shërbime të tjera, si kujdesi për fëmijët, përfitimet sociale dhe të dhënat tatimore.
Plani është pjesë e paketës së masave të kryeministrit Starmer kundër emigracionit të paligjshëm, me fokus të veçantë punës informale. “Plani shënjestron rrjetet kriminale që premtojnë akses në tregun britanik të punës duke përfituar nga kalimet e rrezikshme dhe të paligjshme përmes Kanalit”, tha Downing Street në një deklaratë.
Megjithatë, kundërshtarët politikë kanë ngritur akuza të forta. Ata paralajmërojnë se masa nuk do të dekurajojë emigrantët dhe mund të cenojë liritë civile.
Partia Reform UK e quajti planin një “mashtrim cinik” që synon “të mashtrojë votuesit, duke i bërë të besojnë se diçka po bëhet për migracionin”.
Edhe konservatorja Kemi Badenoch e hodhi poshtë idenë, duke e cilësuar si “një dredhi që nuk bën asgjë për të ndaluar anijet” e emigrantëve që kalojnë Kanalin.
Nga ana tjetër, Demokratët Liberalë shprehën refuzimin e tyre për kartat dixhitale të detyrueshme, duke theksuar se qytetarët “detyrohen të heqin dorë nga të dhënat e tyre personale vetëm për të siguruar jetën e përditshme”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



