Në republikën e dekretit: Veliaj flet për të drejta, Begaj për afate
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka vendosur me përpikmëri të admirueshme të zbatojë kalendarin institucional, duke dekretuar zgjedhjet e pjesshme vendore më 9 nëntor 2025 në gjashtë bashki, përfshirë edhe Tiranën. Ndërkohë, kryetari i shkarkuar Erion Veliaj vazhdon të kërkojë drejtësi në Gjykatën Kushtetuese, duke sfiduar vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij për mosparaqitje në detyrë.
Në këtë “republikë të dekretit”, ndërsa Veliaj lufton për të drejtat e tij në gjykatë, Presidenti duket se ka zgjedhur ta përqendrojë vëmendjen vetëm tek afatet procedurale. Sipas sqarimit të Presidencës, Begaj ka verifikuar rregullshmërinë e procedurave të ndjekura nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe Këshilli i Ministrave, duke respektuar një neutralitet institucional që, në fakt, i jep përparësi formalitetit mbi thelbin e çështjes.
Këshilli i Ministrave argumenton se shkarkimi i Veliajt për “mosparaqitje në detyrë për një periudhë tre mujore të pandërprerë” nuk i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese, por është kompetencë e gjykatës administrative. Ndryshe nga rastet e shkeljeve të rënda kushtetuese, ku ankimi pezullon automatikisht vendimin e shkarkimit, në këtë rast pezullimi mund të ndodhë vetëm me urdhër të posaçëm të gjykatës administrative – e cila deri tani nuk ka ndërhyrë.
Derisa ankesa e Veliajt mbetet në pritje, Presidenti Begaj ka vendosur të mos vonojë procedurat dhe ka firmosur brenda afatit ligjor prej 48 orësh, duke bërë të qartë se për të, kalendari është mbi të gjitha.
Në përfundim, përveç Tiranës, zgjedhjet e pjesshme do të zhvillohen edhe në Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik.
Sipas sqarimit të Presidencës:
“Këshilli i Ministrave ka referuar tek kuadri ligjor, i cili përcakton se shkarkimi për ‘mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë’ përbën rast të ndryshëm nga shkarkimi ‘për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve’ që parashikon neni 115 i Kushtetutës.”
Kjo nënkupton se vendimi i qeverisë përmes VKM nr. 539, datë 25.09.2025, nuk bie në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, por në atë të gjykatës administrative.
Ndryshe nga rastet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, ku një ankim pezullon automatikisht vendimin e shkarkimit, në rastet e tjera – si ai i Veliajt – pezullimi i vendimit ndodh vetëm me urdhër të posaçëm të gjykatës administrative.
Presidenca shton se, deri në momentin e dekretimit të zgjedhjeve, nuk është regjistruar ndonjë ankimim pranë organeve kompetente gjyqësore dhe nuk ka një vendim pezullimi nga ana e tyre. Për rrjedhojë, Presidenti ka vepruar brenda afatit ligjor prej 48 orësh nga marrja e njoftimit për shpalljen e zgjedhjeve.
Krahas Tiranës, zgjedhjet e pjesshme më 9 nëntor do të mbahen edhe në bashkitë: Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik.
Në fund të deklaratës, Presidenti Begaj ka bërë thirrje për një fushatë konkurruese dhe etike, në respekt të Kodit Zgjedhor, si dhe ka shprehur dëshirën që qytetarët të përfshihen gjerësisht dhe të marrin pjesë masivisht në procesin e votimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



