Zbrdhet propozimi i PSD-së së Tom Doshit për zgjedhjet vendore 2027
Data 9 maj 2027 është propozimi i Partisë Socialdemokrate për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Sugjerimi i kësaj date i është përcjellë presidentit Bajram Begaj gjatë takimit konsultues të zhvilluar këtë të premte me përfaqësuesin e PSD-së.
Takimi me përfaqësuesin e socialdemokratëve është i dyti në radhë për kreun e shtetit, i cili më herët zhvilloi një bisedë me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Ky i fundit u shpreh se mazhoranca është e hapur për zhvillimin e zgjedhjeve vendore në çdo datë brenda afateve ligjore, me përjashtim të 2 majit. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse socialistët do të mbështesin propozimin e PSD-së për 9 majin.
Ndërkohë, konsultimet e nisura nga Presidenti i Republikës po zhvillohen në një klimë përplasjesh politike, pasi dy prej forcave kryesore opozitare kanë refuzuar të marrin pjesë në proces.
Pas Partisë Demokratike, edhe Partia e Lirisë ka vendosur të mos i përgjigjet pozitivisht ftesës së Bajram Begajt. Përfaqësuesi i saj, Tedi Blushi, bëri të ditur se kjo forcë politike nuk do të jetë pjesë e takimeve konsultuese për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Nga ana e Partisë Demokratike, kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, e ka cilësuar ftesën e Presidentit si një “teatër politik”. Sipas qëndrimit të PD-së, kreu i shtetit duhet të përqendrohet te shqetësimet që lidhen me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në vend që konsultimet të mbeten vetëm te përcaktimi i datës së votimit.
Afati për shpalljen e datës përfundon më 6 nëntor
Sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, zgjedhjet vendore të vitit 2027 duhet të zhvillohen në një ditë të diel, brenda periudhës 15 prill – 15 maj.
Presidenti Bajram Begaj duhet të shpallë datën përfundimtare deri më 6 nëntor. Deri atëherë, konsultimet me përfaqësuesit e partive politike do të shërbejnë për të mbledhur propozimet e tyre, përpara marrjes së vendimit përfundimtar nga kreu i shtetit.
Për momentin, 9 maji mbetet propozimi i paraqitur nga Partia Socialdemokrate, ndërsa qëndrimi përfundimtar i mazhorancës dhe vendimi i Presidentit pritet të përcaktojnë datën e zgjedhjeve vendore të ardhshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



