Arbjan Mazniku paraqitet në GJKKO, zbardhet arsyeja
Arbjan Mazniku, ish-ministër i Pushtetit Vendor dhe ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Burime bëjnë me dije se Mazniku është thirrur nga SPAK në cilësinë e dëshmitarit, në kuadër të hetimeve për të ashtuquajturën “Dosja 5D” – një hetim i gjerë që lidhet me procedurat e prokurimeve publike dhe dyshimet për abuzim me fondet në projekte të rëndësishme urbane gjatë kohës së drejtimit të Bashkisë Tiranë.
Pritet që dëshmia e tij të ndihmojë në sqarimin e disa prej vendimmarrjeve kyçe, që lidhen me kontratat dhe procedurat e ndjekura për projektet e mëdha të rindërtimit dhe transformimit urban.
Mazniku ka qenë një nga figurat qendrore në administratën e Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës dhe më pas një emër politik në qeverisje, në rolin e ministrit për Pushtetin Vendor.
Seanca në GJKKO është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ende nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK mbi detajet e dëshmisë apo elementet që po hetohen konkretisht në këtë fazë të dosjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



