Skandal në Institutin e të Verbërve, Drejtori fyen stafin: Qorra!
Rasti i Emiliano Lule, drejtor i Qendrës Burimore “Ramazan Kabashi”, hedh dritë mbi një situatë shqetësuese: një drejtues institucioni ruan postin pavarësisht veprimeve joligjore dhe abuzimeve të përsëritura. Që një institucion të funksionojë si duhet, kërkohet profesionalizëm, transparencë dhe përmbushje e kritereve ligjore. Por, në këtë rast, duket se ndodh e kundërta.
Gjatë vitit 2024, në Qendrën Burimore janë punësuar 51 persona, në pozicione të ndryshme si drejtor, nëndrejtor, mësues për arsim special, ndihmës, roje, e të tjerë – numër që tejkalon vetë numrin e nxënësve të institucionit.
Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit nr. 14, datë 10 korrik 2023, një shkollë speciale mund të ketë një drejtor dhe një nëndrejtor vetëm nëse numri i nxënësve është deri në 130. Por Instituti i Nxënësve që Nuk Shikojnë ka vetëm 34 nxënës, dhe megjithatë, është emëruar një nëndrejtoreshë në detyrë, zonja Shqiponja Zajmi, në kundërshtim me këtë rregullore.
“Mua zotëria më largoi nga puna në mënyrë të padrejtë. E vetmja arsye pse nuk më largoi nga puna është sepse nuk iu binda mikes së tij të besuar, nëndrejtoreshës në thonjëza në detyrë Shqiponja Zajmi. Sot në Institutin e Nxënësve që Nuk Shikojnë janë 12 konviktorë. Dhe Emiliano Lule nuk ka asnjë tagër ligjor që të vendosë nëndrejtoreshë kë ti dojë qejfi.” – deklaron për “Vetting” znj. Marku.
Në një telefonatë të siguruar nga redaksia, Lule pranon se Zajmi është në detyrë, ndonëse nuk ka asnjë bazë ligjore:
Zonja M: Emiliano, mundet t’i ketë ditur të gjitha Shqiponja?
Drejtori Emiliano Lule: S’e ka përgjegjësi me shkrim. Është zëvendësdrejtoreshë, a e di ti apo jo?
Zonja M: Çfarë është mo?
Drejtori Emiliano Lule: Shqiponja është zëvendësdrejtoreshë me detyrë si Rexhina.
Zonja M: Është e martuar pa letra me një fjalë?
Drejtori Emiliano Lule: Pak a shumë.
Përveç kësaj, Zajmi është anëtare e komisionit të prokurorimit, ku sipas një raporti të siguruar nga “Vetting”, Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton disa shkelje proceduriale në menaxhimin e fondeve publike. Daljet e ushqimeve nga magazina nuk përputheshin me menutë e miratuara, duke dëshmuar mungesë kontrolli dhe transparence.
Kjo situatë bëhet më shqetësuese kur një nga kompanitë që ka fituar tendera është “Nelsa” sh.p.k. — e njëjta kompani që u përfshi në skandalin e helmimit të 70 fëmijëve në një kopsht shtetëror në Gramsh, sipas pretendimeve për furnizim me ushqime të infektuara.
Kur u përball me këto fakte, drejtori Lule mohoi shkeljet, duke pretenduar se gjithçka është bërë sipas ligjit:
Gazetari Armand Kullau: “Sipas auditimit, nuk janë përllogaritur fondet limit, dhe procesverbalet nuk janë protokolluar sipas ligjit…”
Emiliano Lule: “Të gjitha fondet janë të hartuara sipas ligjeve. Nuk ka asnjë gabim.”
Një tjetër shqetësim serioz është mungesa e orëve mësimore nga drejtori, të cilat janë detyrim ligjor sipas udhëzimit të MASR. Drejtori duhet të zhvillojë 6 orë mësim në javë, por sipas ish-punonjësve:
“Nuk i ka dhënë kurrë 6 orë, nuk ka shkuar asnjëherë në klasë. Emiliano Lule nuk kontrollon as cilësinë, as oraret e mësimit.”
Për më tepër, në disa video të siguruara nga “Vetting” shihen punonjëse duke kryer punë fizike, si lyerje muresh dhe lëvizje mobiljesh – punë që nuk përfshihen në kontratat e tyre. Ish-punonjësja Marku rrëfen:
“Emiliano Lule na ka detyruar të bëjmë edhe rojen. Katër roje ka institucioni, por si kujdestare më detyronte të bëja edhe këtë detyrë. Gjatë gjithë verës.”
Drejtori e mohon këtë, duke thënë se “vetëm 2‑3 djem” kanë bërë punë vullnetare, dhe “sepse e kanë pasion”:
Gazetari Armand Kullau: “Disa punonjës kanë bërë punë jashtë kontratës. Komenti juaj?”
Emiliano Lule: “Ka dy‑tre djem që kanë dëshirë të lyejnë me bojë, sidomos njëri në sektorin e IT‑së…”
Përtej shkeljeve proceduriale dhe administrative, një tjetër çështje shqetësuese lidhet me gjuhën e përdorur nga drejtori ndaj stafit të tij. Në një audio të siguruar nga “Vetting”, dëgjohet qartë teksa i fyen rëndë punonjësit, duke i quajtur:
“Qorra, budallenj, torollakë.”
Për avokatin Sejrani, ky rast nuk është i izoluar. Sipas tij, mbi 30% e punësimeve në administratë janë të paligjshme, shpesh të bëra nëpërmjet lidhjeve personale apo politike, duke lënë të pambrojtur pikërisht punonjësit që mbajnë barrën reale të punës.
“Presioni nuk u bëhet atyre që kanë lidhje, por pikërisht punonjësve të pambrojtur. Ky është realiteti në institucione si ky,” u shpreh ai për “Vetting”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



