Thirrjet e Vuçiçit për luftë, reagon Vjosa Osmani: Jehonë e rrezikshme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, duke i cilësuar “thirrjet e pamatura” për luftë si jehonë të kapitujve më të errët të historisë së kohëve të fundit.
Komentet e Vuçiç u bënë të premten gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kopenhagë, ku ai deklaroi se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po përpiqet të përdorë “këtë kohë para luftës” për të bindur vendet evropiane dhe NATO-n t’i mbajnë anën Prishtinës.
Në përgjigje të këtyre fjalëve, presidentja Osmani u shpreh përmes një postimi në X (dikur Twitter) se, pavarësisht viteve të angazhimit të palodhur të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës për paqe afatgjatë në rajon, Vuçiç po tregon se nuk ka zgjedhur rrugën e pajtimit. “Në vend të ndryshimit të faqes, Vuçiç dhe regjimi i tij po flirtuan edhe një herë me fantazitë destruktive që kanë shkatërruar shumë jetë të pafajshme,” tha Osmani.
Deklaratat e Vuçiç për luftë
Duke folur në samit, Vuçiç theksoi se “bota do të bëhet gjithnjë e më e vështirë” dhe se po shkohet drejt një “konflikti të madh”. Ai u shpreh: “E dimë tashmë se do të ketë luftë, dhe do të ketë, po jua them unë, sepse e shoh çfarë po ndodh dhe si po përgatiten të gjithë. Askush nuk po përgatitet për bisedime, ata thjesht po shikojnë se kush do të jetë në anën e kujt. Ata po gërmojnë llogoret e tyre dhe po presin fillimin.”
Megjithatë, Vuçiç nuk ofroi asnjë provë për pretendimet e tij dhe premtoi se Serbia do të bëjë gjithçka që të mos përfshihet në një konflikt të tillë.
Konteksti historik dhe paralajmërimi i Osmanit
Presidentja Osmani kujtoi se qasja e Vuçiç nuk është e panjohur dhe e krahasoi atë me periudhën e viteve ’90, kur ish-lideri jugosllav Sllobodan Millosheviç zgjodhi luftën gjenocidale si mjet për qëndrimin në pushtet.
“Millosheviç kreu dhunë jonjerëzore në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë – të gjitha këto të dokumentuara për botën. Përmes propagandës së tij, ku Vuçiç ishte shef, ai nxiti urrejtje që çoi në vrasje sistematike, varreza masive dhe shkatërrim,” tha Osmani.
Ajo paralajmëroi se Vuçiç beson se mund të ringjallë të njëjtat formula destruktive, por historia tregon se, ashtu si Millosheviç, edhe ai do të dështojë. “Kosova, nga ana tjetër, ka zgjedhur paqen dhe do ta mbrojë atë me çdo kusht,” përfundoi ajo.
Qëndrimi i Osmani në SHBA dhe konteksti aktual
Gjatë qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara një javë më parë, Osmani theksoi se Beogradi përbën një kërcënim të vazhdueshëm për Kosovën.
Në një intervistë për Fox News, ajo tha se Serbia “pëlqen të shkaktojë probleme herë pas here” dhe vlerësoi se administrata e ish-presidentit Donald Trump ka bërë një punë të mirë në parandalimin e përshkallëzimit të tensioneve mes dy vendeve.
Dialogu për normalizim dhe sfidat aktuale
Kosova dhe Serbia janë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. Palët kanë nënshkruar disa marrëveshje, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar.
Dialogu në nivel të lartë është i bllokuar muajt e fundit, kryesisht për shkak të mungesës së institucioneve të reja në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Kosova insiston se procesi duhet të përfundojë me njohjen reciproke, një pikë kyçe e mosmarrëveshjes midis dy palëve.
Në këtë kontekst, deklaratat dhe tensionet e fundit nga Beogradi dhe Prishtina mbeten një shqetësim serioz për stabilitetin rajonal dhe përpjekjet ndërkombëtare për ruajtjen e paqes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



