E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sot përcillet për në banesën e fundit gjyqtari Astrit Kalaja
Flash

Sot përcillet për në banesën e fundit gjyqtari Astrit Kalaja

Sot do të zhvillohen homazhet dhe ceremonia mortore për gjyqtarin Astrit Kalaja, i cili u vra dy ditë më parë me armë zjarri në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, gjatë ushtrimit të detyrës.

Familjarët kanë bërë me dije se homazhet do të mbahen në Pallatin e Kongreseve, nga ora 09:00 deri në 11:00, ku miq, kolegë dhe qytetarë mund t’i japin lamtumirën e fundit gjyqtarit të ndjerë.

Ngjarja tronditëse ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe institucionet e drejtësisë, jo vetëm për natyrën e pazakontë të aktit — një vrasje brenda një salle gjyqi — por edhe për faktin që ngjarja ndodhi në një ambient ku siguria duhej të ishte maksimale.

Si ndodhi ngjarja – detaje nga momenti i vrasjes

Ngjarja ndodhi më 5 tetor, rreth orës 15:35, në sallën nr. 3 të Gjykatës së Apelit Tiranë.

Sipas të dhënave zyrtare, autori i dyshuar, Elvis Shkambi, kishte hyrë më herët në ambientet e gjykatës së bashku me Gjon Shkambin, duke kaluar përmes skanerit metalik. Pajisja sinjalizoi prezencën e metaleve, por punonjësi i sigurisë, Banush Koxha, qëndroi i ulur dhe nuk kreu asnjë kontroll fizik apo regjistrim të personave që hynin, siç e parashikon protokolli i sigurisë.

Dy personat qëndruan për më shumë se një orë në hollin e pritjes dhe më pas hynë në sallën ku zhvillohej seanca gjyqësore.

Në momentin kur gjyqtari Astrit Kalaja shpalli vendimin, Elvis Shkambi, që ndodhej në sallë si palë në proces, nxori nga brezi një armë zjarri dhe qëlloi disa herë drejt gjyqtarit, duke i shkaktuar plagë të rënda. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë mjekësore, gjyqtari ndërroi jetë gjatë transportit për në spital.

Pas këtij akti, autori qëlloi edhe në drejtim të shtetasve Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët mbetën të plagosur. Të dy ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Më pas, autori doli nga salla dhe i dorëzoi armën një punonjësi gjyqësor. Në oborrin e gjykatës, ai u neutralizua dhe u prangos nga efektivët e policisë, pa tentuar rezistencë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.