Dritan Shakohoxha shoqërohet nga policia serbe
Policia serbe ka shoqëruar gazetarin dhe komentatorin sportiv shqiptar, Dritan Shakohoxha, vetëm një ditë para ndeshjes Serbi–Shqipëri.
Vetëm 24 orë para përballjes mes dy kombëtareve, autoritetet serbe kanë shoqëruar disa persona, ndër ta edhe Shakohoxhën. Sipas informacioneve të CNA, shoqërimi mund të ketë lidhje me ndeshjen e vitit 2014, kur Shakohoxha ishte komentator i sfidës Serbi–Shqipëri që u zhvillua në Beograd.
Mësohet se ai është ndaluar për disa kontrolle sapo mbërriti në Serbi. “I kanë mbajtur erë edhe çorapeve të Shakos, të cilat për fat ishin të lara. Hundët e serbëve janë futur kudo,” raporton CNA, duke shtuar se gazetari tashmë është liruar.
Në një prononcim për CNA, Shakohoxha u shpreh:
“Unë do të shkoj ta shikoj ndeshjen. Veprime të qëllimshme dhe të papërgjegjshme. Asgjë më shumë se kaq.”
Sipas burimeve të CNA, autoritetet serbe kanë përgatitur një listë me emra personash që mund të ndalohen të hyjnë në stadium, përfshirë gazetarë, komentatorë dhe personalitete që kanë udhëtuar për të ndjekur ndeshjen.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



