E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ministri Pirro Vengu i dhuron Arbër Abazit 570 MLN lekë
Lajme

Ministri Pirro Vengu i dhuron Arbër Abazit 570 MLN lekë

Tenderi ushtarak hangarit për helikopterët “Black Hawk”  në Farkë që mori “frymë” nga korrupsioni

Në një nga projektet më strategjike të Forcave të Armatosura  ndërtimin e hangarit për helikopterët “Black Hawk” në Bazën Ajrore të Farkës  rezulton se paratë publike po shumëfishohen me “shtesa” të dyshimta, afate të zgjatura dhe ndërhyrje politike.

Ministria e Mbrojtjes, e drejtuar nga Piro Vëngu, i dha tenderin me vlerë 4.1 miliardë lekë të vjetra kompanisë së Arbër Abazit, nipit të ish-deputetit socialist Sadri Abazi, përmes firmës “ALKO-IMPEX General Construction” sh.p.k., në bashkëpunim me një kompani tjetër. Por pak muaj më vonë, të njëjtët përfitues kërkojnë 570 milionë lekë shtesë nga buxheti i shtetit  dhe zgjatje afati prej tre muajsh.

Zgjatje kontrate, justifikime dhe “defekte” të projektit

Dokumentet e siguruara tregojnë se zyrtarisht, kërkesa për ndryshim kontrate është justifikuar me nevojën për “vendosjen në funksionalitet të plotë të hangarit”. Por shkresat që mbajnë datat 31 maj dhe 1 qershor 2024 zbulojnë se problematikat ishin ngritur që një vit më parë:

  • Porta e hangarit ishte projektuar më e ulët (6.5 m) se lartësia e strukturës (9.7 m).
  • Mungon dhoma teknike për sistemin e shuarjes së zjarrit.
  • Nuk janë parashikuar depozitat e ujit (5 depozita × 10.000 litra).
  • Nuk është qartësuar nëse duhet mbuluar e gjithë sipërfaqja e hangarit.

Për këto arsye, mbikëqyrësi i punimeve, shoqëria “Arena MK”, ka kërkuar shtesa në preventiv dhe zgjatje të afatit nga 24 në 27 muaj. Por fakti që të gjitha këto “zbulohen” pas nënshkrimit të kontratës, ngre dyshime për projekt të mangët dhe planifikim të qëllimshëm për shtesa buxheti.

Kujtojmë se tenderi me objekt  “Ndërtim hangari për helikopterë në Bazën Ajrore Farkë” e kishte fondin limit 407,623,670 lekë pa TVSH.

 Ministri Vëngu gjatë  inspektimit të  punimeve në bazë

Arbër Abazi bënte gati shkresat për të marrë lekë të tjera shtesë.

“Me qëllim përfundimin e punimeve të argumentuar si më lartë si dhe vendosjen në funksionalitet të plotë të hangarit në bazën Ajrore Farkë (për nevoja të Forcave të Armatosura), përveç shtesës së materialeve, është e domosdoshme dhe shtesa e afatit të realizimit të kontratës i cili nga 24 (Muaj) nga data e fillimit të punimeve bëhet 27 (muaj) nga data e fillimit të punimeve”, kështu argumentohet ndryshimi i kontratës nga pala ushtarake.

Shtesa e fondit është e dyshimtë, sepse kërkesat për ndryshmin e kontratës janë bërë qysh para një viti. “Mbikqyrësi i punimeve dhe shoqëria zbatuese me shkresat nr. 129, datë 31.05. 2024 “Kërkesë për pajisje me projektet e objektit “Ndërtim hangari për mirëmbajtje dhe strehim helikopterash UH60 Black Haẉk” si dhe shkresës së shoqërisë “Agri Costruction” me 132/1, datë 01.06.2024 “Kërkesë për pajisje me projektet e objektit “Ndërtim hangari për mirëmbajtje dhe strehim helikopterash UH60 Black Haẉk”, me anë të së cilës njofton mbi disa problematika të hasura gjatë zbatimit të punimeve për të cilat kërkohet zgjidhje”, njoftohet nga Komanda e Forcave Ajrore.

Konkretisht: porta e hangarit qenka bërë më e vogël.  Lartësia e kapriatave nga kuota 0.00 e objektit është 9.7 m. Porta e hangarit në projekt është parashikuar në lartësinë 6.5 m. Më tej del se nuk është përcaktuar dhomë teknike për vendosjen e makinerive dhe pajisjeve të sistemit të shuarjes së zjarrit.

Ndërkaq, nga korrespondencat del se në preventiv nuk janë parashikuar depozita uji për këtë qëllim. Ndërsa në projekt jepen 5 depozita uji 10000 litroshe, problem i cili duhet të saktësohet nga projektuesi. Po ashtu, fituesi i tenderit nuk e paska të qartë, nëse duhet mbuluar e gjithë sipërfaqja e hangarit.

Korrespondenca ka vazhduar më tepër se 1 vit për këtë shtesë që kërkohet. Gjithashtu mbikqyrësi i punimeve shoqëria “Arena MK” me shkresën nr. 52, datë 15.04.2025 sqaron se realizimi i punimeve të paraqitura në dokumentacioni e mësipërm është domosdoshmëri për ta sjellur objektin në parametrat e duhura teknike dhe për ta vënë atë në funksion të plotë.

Shtesa financiare me aromë abuzimi

Sipas kontratës bazë, vlera totale e punimeve ishte 384,361,462 lekë pa TVSH.

Ndërsa “modifikimi” i kontratës parashikon 47,760,458 lekë pa TVSH shtesë – rreth 56 milionë lekë me TVSH.

Në dokumentet teknike, kjo paraqitet si “preventiv shtesë” për materiale dhe punime që, në fakt, duhej të ishin pjesë e projektit fillestar. Por sipas burimeve të Publik.al, në llogaritjet e brendshme të Komandës së Forcës Ajrore, totali i rritjes financiare dhe i ndikimit buxhetor shkon deri në 570 milionë lekë të vjetra  shumë që, në gjuhën e prokurimeve, përbën një bonus të heshtur për kontraktorin.

Hangari që bëhet pretekst për interesa politike

Sipas dokumentacionit zyrtar të Forcave Ajrore, objekti i ndërtuar është strategjik:

“Garanton gatishmërinë e flotës ajrore për çdo skenar operacional; mbrojtjen fizike të helikopterëve ndaj kushteve atmosferike; ndërhyrjet teknike; dhe mbështetjen e operacioneve të përbashkëta të NATO-s.”

Por ndërsa në terren ministri Piro Vëngu shfaqej në inspektime e foto PR, në zyrat e ministrisë po përgatitej kërkesa për fond shtesë, me justifikimin e “rregullimeve të vogla teknike”. Kjo praktikë – e njohur në gjuhën e tenderave si modifikim kontrate me arsye funksionale – është një mënyrë e zakonshme për të rritur vlerën reale të kontratës pas shpalljes së fituesit, pa kaluar më në garë të hapur.

Rrjeti i lidhjeve dhe tenderi i dytë i anuluar

Pas fitimit të hangarit, Arbër Abazi tentoi të marrë edhe tenderin për sheshet e uljes dhe rrugët lidhëse të helikopterëve  një projekt tjetër me fond limit 706 milionë lekë pa TVSH.

Fillimisht, Ministria e Mbrojtjes shpalli fitues kompaninë “Salillari”, por vendimi u ankimua nga dy bashkime kompanish, mes tyre edhe “Agri Construction”, “ALKO IMPEX Construction” dhe “Bami Holding”.

Pas një seri vendimesh të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), u konstatua se skualifikimi i ofertave më të ulëta ishte i paligjshëm, dhe KPP urdhëroi anulimin e tenderit. Madje, një nga anëtarët e KPP-së, Kreshnik Ternova, propozoi që tenderi t’u jepej pikërisht kompanive të lidhura me Arbër Abazin – dhe të niste hetim administrativ ndaj vetë ministrit Vëngu për shkelje procedurash.

Ndërkaq, ish-kreu i KPP-së, Jonaid Myzyri – sot nën hetim nga SPAK për korrupsion në tendera publikë – ka qenë më parë jurist në ALKO IMPEX, kompania e familjes Abazi.

Një “bonus” që erdhi nga lart

Rasti i hangarit në Farkë nuk është vetëm çështje e një projekti të shtyrë. Ai është simptomë e një modeli politik dhe ekonomik ku rrjetet familjare, lidhjet me pushtetin dhe strukturat e tenderave ushtarakë funksionojnë si një zinxhir i mbyllur.

Sa lekë të tjera kërkon Arbër Abazi?

Vlera totale e kontratës së nënshkruar nga kompanitë fituese të tenderit është 384,361,462 lekë pa TVSH.

Vlera e modifikimit të kontratës bazë është 47,760,458.02 lekë pa TVSH, sipas një preventivi shtesë të paraqitur nga zbatuesi i punimeve lekë. Duke futur TVSH, shtesa është 56,035,749.62 lekë.

Nipin i Sadri Abazit në lojë edhe për sheshin e helikopterëve

Pas hangarit, Arbër Abazi iu turr edhe tenderit për “Ndërtimin e kuadrateve kryesore dhe drejtimet e ngritjes dhe uljes, rrugët lidhëse, sheshet e parkimit të helikopterëve si dhe sistemin e ndriçimit”, me fond limit 706,458,540 lekë pa TVSH.

Fillimisht Pirro Vengu shpalli fitues Pëllumb Salillarin, por tenderi u ankimua menjëherë në Komisionin e Prokurimit nga dy bashkime kompanish. Ankimimi i parë u bë nga bashkimi i kompanive mes “Agri Construction”, “Alko Impex Construction” dhe “Bami Holding” SHPK.

Ndërsa ankesa e dytë u bë nga bashkimi i kompanive “BE-IS”, “Rruga Ura Asfaltim Nr.2 Elbasan” dhe “ERGI”.

KPP mori dy vendime të njëpasnjëshme, ku i pari e pezullonte tenderin, ndërsa i dyti ishte për “mosheqje pezullimi”.

Pas shqyrtimit të dokumentave, Komisioni i Prokurimit Publik i gjeti të paligjshme skualifikimet e ofertave më të ulëta. KPP i pranoi pjesërisht të dy ankesat, vendosi që në vend të ndryshimit të fituesit, të urdhërojë ministrinë e Mbrojtjes që të anullojë mënjëherë tenderin.

Madje njëri prej anëtarëve të KPP, ishte edhe më i prerë. Kreshnik Ternova, përmes mendimit të pakicës, votoi që ministra e Mbrojtjes të ndryshojë fituesin e tenderit duke ja dhënë atë bashkimit të kompanive “Agri Construction”, “Alko Impex Construction” dhe “Bami Holding” si dhe sugjeroi që t’i propozohej Agjencisë së Prokurimeve Publike që të niste hetim administrativ ndaj Pirro Vengut për shkeljet e konstatuara në tender.

Dihet se ish-Kryetari i KPP, Jonaid Myzyri (aktualisht nën hetim nga SPAK për korrupsion me tenderat) më parë ka mbajtur postin e juristit në kompaninë Alko Impex. Përtej kësaj, Arbër Abazi ka lidhje shumë të ngushta  me Belinda Ballukun sepse ka per grua kushërirën e Zv/ Kryeminisyres Belirna Balluku. Në këto kushte ministri Pirro Vengu u tërhoq dhe e bëri tenderin si e urdhëruan.

Nëse SPAK do të hetonte me seriozitet, do të mjaftonin vetëm këto fakte:

  • Kompani të lidhura me politikanë që marrin kontrata ushtarake;
  • Modifikime të përsëritura të kontratave me justifikime teknike;
  • Përfshirje të zyrtarëve të hetuar më parë për korrupsion në procedurat e prokurimit.

Në fund, hangari i helikopterëve Black Hawk, që duhej të simbolizonte modernizimin e ushtrisë shqiptare, po kthehet në një simbol të korrupsionit të sofistikuar  aty ku kontratat zgjaten, paratë shtohen, dhe përgjegjësia zhduket në ajër, bashkë me helikopterët.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.