Arrestohet biznesmeni Sino Llanaj ngriti pallat pa leje në Yzberisht
Pallat 4 mijë m² pa leje në Yzberisht, IMT bllokon ndërtimin e biznesmenit Sino Llanaj – ndërtuesi përfundon në pranga
Një ndërtesë shumëkatëshe në zonën e Yzberishtit në Tiranë është bllokuar sot nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) pas konstatimit të 4 mijë metrave katrorë ndërtim pa leje. Aksioni u zhvillua në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe shënon një tjetër goditje ndaj ndërtuesve që shkelin rregullat urbanistike.
Sipas burimeve zyrtare, objekti i përket biznesmenit Sino Llanaj, ndërsa është nisur procedura për prishjen e godinës.
Nënkryetari i Bashkisë: “Nuk ka më vend për paligjshmëri”
Aksionin e ka ndjekur nga afër nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sula, i cili theksoi se “paligjshmëria nuk ka vend në Tiranë” dhe paralajmëroi ndërtuesit se do të përfshihen në “listën e zezë” të Bashkisë nëse shkelin ligjin.
“Nëse Tirana sot është më e çliruar nga ata që kishin zënë hapësira pa leje, është merita e madhe e IMT-së, e drejtuar nga Rigers Sheqeri, dhe e Policisë Bashkiake, e drejtuar nga Elona. Ne nuk do të ndalemi derisa të lirojmë çdo hapësirë dhe t’i kthejmë qytetit parqe e lulishte për fëmijët”, deklaroi Sula nga vendngjarja në Astir.
Ndërtuesi përfundon në pranga
Policia e Tiranës njoftoi se ka ndaluar ndërtuesin Sino Llanaj (50 vjeç) për kryerje punimesh pa leje dhe pushtim të hapësirave të përbashkëta.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 6 ndaluan shtetasin S. Ll., pasi është konstatuar se në objektin e tij (pallat në ndërtim) në Yzberisht ka kryer punime ndërtimi pa leje në hapësirën e përbashkët të pallatit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërtues me histori konfliktuale dhe penale
Sino Llanaj nuk është një emër i panjohur për autoritetet. Ai është ndërtues i kompleksit në ish-parkun e Autobusëve, bashkë me Albert Allmuçën, por konflikti mes dy ortakëve ka lënë 120 familje në qiell të hapur prej më shumë se 10 vitesh.
Më 13 janar 2021, përplasja mes Llanajt dhe Allmuçës përfundoi në plagosjen me armë zjarri të vetë Llanajt. Familjet e prekura kanë protestuar disa herë para Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar dëmshpërblim dhe dorëzim të banesave.
Në vitin 2024, Sino Llanaj u arrestua në Vlorë, pasi në automjetin e tij u gjetën një pistoletë dhe municion luftarak, të fshehura në kroskot.
Ndërsa në vitin 2022, një tjetër incident ndodhi kur iu vu flaka qëllimisht makinës së vëllait të tij, Dritan Llanaj, në garazhin e një pallati ndërtuar nga vetë Sino Llanaj, duke shkaktuar dëme në disa automjete të tjera.
Masa të reja ndaj ndërtuesve pa leje
Ndërhyrja e sotme është pjesë e aksionit kombëtar për mbrojtjen e territorit, i forcuar pas prezantimit të paketës së re nga kryeministri Edi Rama më 3 tetor.
Sipas aktit normativ, ndërtuesit që konstatohet se kanë kryer punime pa leje futen në “listën e zezë” për 5 vjet, duke u përjashtuar nga çdo aplikim për leje ndërtimi.
Në rastet kur ndërtimi pa leje shkon deri në 10% të sipërfaqes, shtesa konfiskohet për interes publik; por nëse tejkalon 10%, konfiskohet i gjithë objekti.
Pallati në Yzberisht i Sino Llanajt është aktualisht i bllokuar dhe në pritje të prishjes, ndërsa ndaj ndërtuesit kanë nisur procedurat penale për shkelje të ligjit mbi planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



