5-katëshi pa leje në Qeparo, Hita i vë ‘rruspin’ zinxhirit komandues
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të katër punonjësve të Komisariatit të Policisë Himarë, pas konstatimit të një ndërtimi 5-katësh pa leje në Qeparo.
Bëhet fjalë për nënkomisar Ferit Merkaj, komisar Emiljano Prenga, nënkomisar Klodjan Petani, inspektor Redin Çaushaj.
Sipas Policisë, objekti në vendin e quajtur “Sugë” kishte nisur të ndërtohej që në dhjetor 2025 dhe përbëhet nga një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë. Ndaj pronarit të tij, L. B., banues në Laç, është bërë arrestimi, ndërsa tre punonjës të IMT-së Himarë janë shpallur në kërkim për “Shpërdorim detyre”.
Policia thotë se nga verifikimet paraprake rezulton se gjatë periudhës së ndërtimit, Komisariati i Himarës nuk ka marrë masa për ndalimin e punimeve dhe ndjekjen ligjore të rastit.
Katër efektivët do t’i nënshtrohen hetimit disiplinor, ndërsa Policia e Shtetit deklaron se do të ndëshkojë punonjësit që shkelin ligjin apo abuzojnë me detyrën.
Punonjësit e pezulluar janë:
- Nënkomisar F. M., i cili ka mbajtur detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Himarë dhe aktualisht ishte në një pozicion drejtues në DVP Vlorë;
- Komisar E. P., ish-Shef Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Himarë, aktualisht në detyrë në Komisariatin e Divjakës;
- Nënkomisar K. P., ish-Specialist për Hetimin e Krimit në zonën përkatëse, tashmë në Komisariatin e Vlorës;
- Inspektor R. Ç., me funksion Ndihmës/Specialist në zonën ku u konstatua ndërtimi pa leje.
Objekti i ndërtuar në vendin e njohur si “Sugë”, në Qeparo, rezulton të jetë ngritur nga shtetasi L. B., banues në Laç. Godina përbëhet nga një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, e ndërtuar pa asnjë autorizim nga organet kompetente.
Ky rast ka ngritur shqetësime serioze mbi funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe përgjegjshmërinë e strukturave ligjzbatuese në territor, ndërsa hetimet pritet të zbardhin nëse kemi të bëjmë me neglizhencë apo tolerim të qëllimshëm të kësaj shkeljeje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



