Ndërtimi pa leje në Himarë, AMP procedon 4 efektivë policie
Pas shembjes nga IKMT të një objekti 5-katësh të ndërtuar pa leje në Himarë dhe arrestimit në flagrancë të poseduesit të ndërtesës nga Policia e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zgjeruar hetimet për të dokumentuar përgjegjësitë e punonjësve të policisë të lidhur me rastin.
Nga veprimet hetimore të kryera deri më tani rezulton se në këtë ngjarje është përfshirë edhe zinxhiri komandues i strukturave policore të Komisariatit të Policisë Himarë.
Në kuadër të procedimit penal, katër punonjës të Policisë së Shtetit po hetohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Mes personave të proceduar janë E.P., me detyrë Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Divjakë, i cili më herët ka mbajtur të njëjtën detyrë në Komisariatin e Policisë Himarë, si dhe K.P., Specialist i Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, i cili më parë ka shërbyer në të njëjtin pozicion në Himarë. Të dy janë ndaluar.
Në procedim janë përfshirë gjithashtu F.M., me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve në DVP Vlorë dhe ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, si dhe R.Ç., me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Himarë.
Fillimisht, dy prej punonjësve ishin shpallur në kërkim. Në vijim të veprimeve procedurale, ata janë paraqitur dhe janë ndaluar me iniciativë.
Ndërkohë, dy punonjësit e tjerë nuk janë gjetur në banesat e tyre. Pavarësisht njoftimeve, ata nuk janë paraqitur pranë strukturave përkatëse, ndaj ndaj tyre janë kryer procedurat për shpalljen në kërkim.
Hetimi i AMP-së synon të përcaktojë nëse dhe në çfarë mase punonjësit e strukturave policore kanë neglizhuar detyrimet e tyre në lidhje me objektin e ndërtuar pa leje në Himarë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë me dije se veprimet hetimore vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e përgjegjësive ligjore të çdo personi të përfshirë në procedim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



