Edi Reja: Asllanin dhe Mitajn i solla unë, në Serbi fituan lojtarët e mi
Edi Reja, ish-trajneri i Kombëtares Shqiptare, ka analizuar ecurinë e ekipit kuqezinj dhe ka bërë disa komente interesante mbi lojtarët dhe trajnerin aktual Silvinjo.
Në një intervistë për “Klan News”, Reja ka shprehur kënaqësinë për zhvillimet e ekipit: “Kam shumë interes, sepse pjesa më e madhe e lojtarëve janë nga unë. Janë djem që janë rritur me mua dhe tani janë më të pjekur dhe më të rregullt. Ata janë në momentin e tyre më të mirë.”
Reja ka pasur një vështrim pozitiv edhe për ndeshjen e fundit ndaj Serbisë, duke theksuar se “Shqipëria luajti si skuadër, ndërsa Serbia më shumë si individë. Ekipi ka pjekuri dhe ka bërë një lojë të shkëlqyer.” Ai i dha meritat trajnerit Silvinjo për ndihmën që ka dhënë në zhvillimin e ekipit, por ka theksuar se lojtarët që po luajnë tani kanë qenë pjesë e ekipit që ai drejtonte, duke përmendur figura si Asani, Shehu, dhe Hoxha.
“Nuk është e vërtetë që Silvinjo ka zbuluar lojtarë të rinj. Ata janë lojtarë që kam njohur dhe i kam integruar unë. Puna ime ka qenë të përgatit ata për nivelin më të lartë.”
Reja gjithashtu zbuloi se ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në futjen e shumë lojtarëve në Kombëtare, duke përfshirë Asllanin dhe Mitaj, të cilët ishin afër të firmosnin me shtete të tjera, si Italia dhe Greqia, por që Reja i bind për të luajtur për Shqipërinë.
“Asllani ishte duke firmosur me Italinë. Fola me menaxherin dhe e bëra të kthehej në Shqipëri. Po ashtu, Mitaj donte të shkonte të luante për Greqinë, por unë fola me babain e tij dhe e bindëm të zgjidhte Shqipërinë. Kjo është meritë e grupit tim dhe angazhimit tonë për të sjellë këta lojtarë.”
Për sa i përket stilit të lojës, Reja është i kënaqur me zhvillimet dhe thekson se Shqipëria ka arritur të luajë me personalitet dhe të tregojë një nivel të lartë loje. “Skema 4-3-3 i përshtatet shumë lojtarëve dhe ka sjellë rezultate të mira.”
Në fund, Reja shprehu një vlerësim për kulturën e punës të trajnerëve italianë, duke theksuar se ata janë “më të përgatitur dhe kanë një kulturë pune që është bazike për sukses.” Ai gjithashtu shtoi një mesazh për tifozët, duke i inkurajuar ata të mbështesin ekipin dhe të bëjnë më pak kritika.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



