Turqia krah njerëzimit, deri në 7 vite burg për ndaj LGBTQI-së
Qeveria turke po përgatit një projektligj të ri kontrovers, i cili do të shënojë një kthesë drastike në trajtimin ligjor të komunitetit LGBTQI në vend. I quajtur “Paketa e 11-të Gjyqësore”, ky draft-parashikon ndëshkime me burgim për çdo individ që portretizon, promovon apo mbështet publikisht identitetin ose sjelljet LGBTQI, përfshirë këtu edhe çiftet e të njëjtit seks dhe përmbajtjen në media që përfshin këtë komunitet.
Sipas burimeve nga faqja turke e lajmeve T24, do të ndryshohet Neni 225 i Kodit Penal Turk, i cili deri më tani mbulonte vetëm “sjellje të pahijshme në publik”. Nëse ndryshimet miratohen, çdo akt që “shkon kundër seksit biologjik” ose “lavdëron një sjellje të tillë” do të ndëshkohet me burg nga 1 deri në 3 vjet.
Gjithashtu, projektligji kriminalizon ceremonitë martesore apo fejese mes çifteve të të njëjtit seks, duke parashikuar deri në 4 vjet burg për personat e përfshirë.
Goditje edhe ndaj mediave dhe platformave streaming
Drafti ligjor do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe mbi mediat dixhitale dhe platformat e transmetimit, të cilat paraqesin marrëdhënie të të njëjtit seks në filma apo seriale. Përmbajtje të tilla mund të përndiqen penalisht për “inkurajim të sjelljeve që bien ndesh me moralin publik”.
Qeveria e ka justifikuar këtë paketë si pjesë të përpjekjeve për të mbrojtur institucionin e familjes dhe për të garantuar “rritjen e brezave të shëndetshëm mendërisht e fizikisht”.
Kufizime të reja për ricaktimin e gjinisë
Projektligji shtrëngon ndjeshëm edhe procedurat për ricaktimin e gjinisë. Mosha minimale për të aplikuar rritet nga 18 në 25 vjeç, dhe kërkohet që individi të jetë i pamartuar. Aplikantët duhet të paraqesin një raport mjekësor të lëshuar nga një spital i licencuar nga Ministria e Shëndetësisë, pas katër vlerësimeve psikologjike të kryera për të paktën tre muaj.
Operacionet e ricaktimit të gjinisë jashtë kornizës ligjore do të ndëshkohen me 3 deri në 7 vjet burg, si dhe gjoba të mëdha për profesionistët mjekësorë që i kryejnë ato në mënyrë të paautorizuar.
Lëvizje politike e qëllimshme?
Partia në pushtet në Turqi ka rritur ndjeshëm retorikën kundër LGBTQI gjatë viteve të fundit, duke portretizuar dukshmërinë e tyre si kërcënim për moralin publik dhe vlerat tradicionale. Paradat e krenarisë janë ndaluar në shumë qytete, ndërsa avokimi për të drejtat LGBTQI cilësohet gjithnjë e më shumë si “agjendë e rrezikshme”.
Nëse miratohet, kjo paketë do të jetë masa ligjore më e ashpër ndaj komunitetit LGBTQI në Turqi në dekadat e fundit, duke ngjallur shqetësime të thella për të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



