E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skema e fshehtë e Pacollit që alarmoi institucionet në Tiranë
Lajme

Skema e fshehtë e Pacollit që alarmoi institucionet në Tiranë

Si u përgatit rrëmbimi i aeroportit të Vlorës përmes Zvicrës dhe Luksemburgut

Një analizë e inteligjencës financiaro-koorporative, zbulon për herë të parë levën që vuri në lëvizje institucionet shqiptare kundrejt Behgjet Pacollit.

Për lexuesit që nuk janë njohur me çështjen, është e rëndësishme të theksohet se Pacolli hyri si investitor në aeroportin e Vlorës bashkë me biznesmenin Imer Ademi. Hashtag.al shkruan se emri i Pacollit u sugjerua nga Belinda Balluku te kryeministri Edi Rama, i cili me kompetencën e tij karakteristike trajtoi investimin si një projekt kozmetik, duke u shqetësuar deri pak muaj më parë vetëm nëse aeroporti i Vlorës do të ishte gati për të bërë spektakël para zgjedhjeve.

Ndërsa në televizion shfaqej spektakli elektoral, Behgjet Pacolli përgatiste në Zvicër dhe Luksemburg kompanitë dhe skemën tregtare për rrëmbimin e asetit.

Pas fitores së zgjedhjeve dhe fillimit të mandatit të katërt të Edi Ramës, ndërsa të gjithë prisnin emrat e ministrave të rinj dhe pritnin lëvizjet e Belinda Ballukut, në zyrën e Ramës u shfaq Pacolli dhe i plasi bombën. Ai i bëri të ditur se administratori i kompanisë së tij, Valon Lluka, së bashku me Belinda Ballukun, ishin dy hajdutë që kishin kryer manovra pas shpinës së tij dhe për këtë kishte vendosur të grabiste aksionet e tyre.

Pacolli e paraqiti situatën Ramës me një gjuhë dhe arsyetim vulgar, duke e krahasuar grabitjen me disa qese patatesh, që më pas i futi të gjitha në thesin e vet.

Ky ishte momenti kur Edi Rama u alarmua, kërkoi ndihmë dhe bëri njoftimet përkatëse.

Në fakt, përtej arsyetimit vulgar që përdori në Tiranë, Pacolli kishte përgatitur në Zvicër dhe Luksemburg një terren tepër të sofistikuar për kalimin e aksioneve të grabitura të aeroportit në një modul koorporativ, i cili neutralizon çdo mundësi të shtetit shqiptar për t’i rikthyer ato aksione, nëse nuk veprohej në kohë.

Skema e krijimit të kompanive jashtë vendit tejkalon vizionin e thjeshtë të Pacollit si spekulant dhe “thesin e tij me patate”; pas kësaj skeme qëndron me siguri një palë tjetër që njeh mirë rrugët financiaro-koorporative.

Skema e Pacollit në Zvicër dhe Luksemburg nuk është analizuar nga institucionet shqiptare të inteligjencës apo jurisprudencës tregtare, pasi autoritetet shqiptare janë orientuar dhe kanë marrë udhëzime nga vendet partnere.

Më poshtë botohet e përkthyer dhe e plotë analiza financiaro-koorporative që vuri në lëvizje autoritetet në Tiranë:

Posedimi pa kompromis i aksioneve dhe kalimi i tyre në një modul ku përfshihen kompanitë e huaja “Compartment Bernina” dhe “Delpho Securities” paraqitet alarmante.

Nëse “Compartment Bernina” nuk bllokohet përpara mbylljes, procesi i likuidimit të tij përbën fazën më të rrezikshme dhe të pakthyeshme juridikisht për të gjitha palët shqiptare të përfshira në projektin e Aeroportit të Vlorës. Kjo për shkak të Ligjit të Luksemburgut të datës 22 Mars 2004 “Sur la titrisation” (Ligji për Titullizimin), veçanërisht nenet 61, 62 dhe 64.

Çdo “compartment” i një shoqërie titullizimi (“société de titrisation”) konsiderohet njësi ligjore e izoluar (“ring-fenced compartment”), që mban pasuri dhe detyrime të ndara nga pjesa tjetër e shoqërisë mëmë. Në momentin që kompartmenti shpallet i mbyllur (“liquidated”), ai zhduket ligjërisht nga regjistri tregtar i Luksemburgut dhe asnjë subjekt nuk ka më kapacitet juridik për të përfaqësuar apo për t’u paditur në emër të tij.

Sipas nenit 61 të Ligjit të Titullizimit, “Të gjitha pasuritë dhe të drejtat që i përkasin një kompartmenti i takojnë ekskluzivisht mbajtësve të titujve të atij kompartmenti dhe nuk mund të kërkohen nga ndonjë kreditor tjetër i shoqërisë.” Në përputhje me këtë nen, në momentin e mbylljes, të gjitha pengjet, të ardhurat dhe të drejtat që Delphos ka marrë përmes kësaj kontrate mbi projektin e Aeroportit të Vlorës – përfshirë kuotat, llogaritë bankare dhe të ardhurat koncesionare – kalojnë automatikisht te investitorët privatë që kanë financuar “Compartment Bernina”, të cilët bëhen përfituesit përfundimtarë të aseteve.

Ndërkohë, neni 62 i po këtij ligji përcakton se kreditorët e jashtëm nuk kanë asnjë të drejtë mbi pasuritë e kompartmentit, duke i bërë ato të paprekshme nga çdo kërkesë apo padi jashtë rrethit të investitorëve.

Në të njëjtën kohë, klauzolat kontraktore “limited recourse” dhe “no-petition”, pjesë integrale e marrëveshjeve të titullizimit dhe referuar në seksionet standarde të marrëveshjes “Delphos–Mabco”, i heqin palëve të tjera (përfshirë VIA-n dhe aksionarët e saj) çdo të drejtë për të kërkuar falimentim, kompensim ose ndjekje gjyqësore ndaj shoqërisë mëmë “Delphos Securities S.A.R.L.” përtej aseteve të vetë kompartmentit. Kjo do të thotë se përmes kombinimit të këtyre dispozitave, në momentin e likuidimit:

Delphos nuk mban më asnjë përgjegjësi ligjore ose financiare për detyrimet që burojnë nga kontrata;

“Compartment Bernina” nuk ekziston më si person juridik;

Asnjë gjykatë shqiptare nuk ka juridiksion mbi asnjë pjesë të pasurisë së sekuritizuar, pasi ligji i zbatueshëm është ai i Luksemburgut dhe juridiksioni kompetent është Luksemburgu ose Londra, siç përcaktohet në nenet përfundimtare të kontratës.

Si pasojë, VIA SH.P.K., 2A Group SH.P.K. dhe Shteti Shqiptar humbasin automatikisht çdo të drejtë për të ushtruar kërkesë, padi, pretendim apo kompensim ndaj Delphos-it, kompartmentit apo investitorëve që përfitojnë nga mbyllja.

Në terma juridikë ndërkombëtarë, kjo situatë përbën shuarje “ex lege” të çdo mjeti juridik për shkak të kombinimit të:

Mbylljes ligjore të subjektit (likuidimi);

Transferimit të aseteve sipas nenit 61 të Ligjit për Titullizimin;

Heqjes dorë të paracaktuar nga çdo mjet gjyqësor nëpërmjet klauzolave “no-petition” dhe “limited recourse”.

Praktikisht, kjo do të thotë se, pas mbylljes së “Compartment Bernina”, kontrolli ekonomik mbi të ardhurat, llogaritë dhe të drejtat e Aeroportit të Vlorës kalon në mënyrë të pakthyeshme dhe të legalizuar te investitorë privatë anonimë jashtë juridiksionit shqiptar, ndërsa Shteti Shqiptar nuk ka më asnjë instrument ligjor për të kërkuar kthimin e pasurive publike që i përkisnin këtij projekti.

Ky është një precedent i rrezikshëm, sepse përmes një marrëveshjeje të tillë humbet jo vetëm kontrolli ekonomik dhe administrativ mbi projektin, por edhe sovraniteti juridik i shtetit mbi një pasuri publike strategjike, pasi kontrata dhe asetet që burojnë prej saj dalin përfundimisht jashtë juridiksionit dhe sistemit ligjor shqiptar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.