E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arrestohet në Kosovë biznesmeni Valon Lluka
Lajme

Arrestohet në Kosovë biznesmeni Valon Lluka

Biznesmeni Valon Lluka është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, ndërsa ndaj tij është caktuar ndalimi për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e disa veprave penale.

Lajmi për arrestimin është raportuar nga burime të Klan Kosovës, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar ndalimin e një personi me inicialet V.Ll.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala, bëri të ditur se ndalimi është urdhëruar nga Prokurori i Shtetit dhe se personi i ndaluar dyshohet për katër vepra penale.

“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person me inicialet V.Ll., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale ‘Mashtrimi’, nga neni 323, ‘Shpërdorimi i pasurisë së huaj’, nga neni 318, ‘Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike’, nga neni 284, si dhe veprës penale ‘Lidhja e kontratës së dëmshme’, nga neni 285 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”

Prokuroria bëri të ditur se hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ndërsa autoritetet po ndërmarrin veprimet e nevojshme për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.

“Ndërkohë, Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurimit ndaj të pandehurit”, deklaroi Shala.

Dyshimet për denoncimin e Pacollit

Sipas raportimeve, arrestimi i Lluka dyshohet se lidhet me një denoncim të bërë nga biznesmeni Behgjet Pacolli.

Pacolli e ka akuzuar më herët Llukan, i cili ka qenë ish-ortaku i tij dhe një prej bashkëpunëtorëve të tij të afërt, për përvetësim të shumave të konsiderueshme parash.

Këto janë pretendime të bëra nga Pacolli dhe do të jenë pjesë e verifikimeve të organeve të drejtësisë. Ndërkohë, ndaj Valon Llukës vijon të vlejë prezumimi i pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.