Barjami: Prokurori nuk dinte të lexonte, kamerat zbuluan gjithçka
Avokati rrëfen të pathënat e arrestimit të tij
Vetëm pak orë pasi u la i lirë me vendim të Prokurorisë, avokati Ulian Barjami ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Top Story”, ku foli për ngjarjen që çoi në ndalimin e tij dhe konfliktin me përfaqësuesit e akuzës gjatë një seance gjyqësore.
Barjami e cilësoi ndalimin e tij si tërësisht të paligjshëm dhe tha se gjithçka nisi në një seancë të premten, ku ai po mbronte një klient të akuzuar për kundërshtim të forcave të policisë gjatë arrestimit.
“Sapo u hapën pamjet e kamerave të sigurisë në sallë, u provua qartë që klienti im nuk kishte kryer asnjë kundërshtim. Përkundrazi, u zbulua se procesverbali i mbajtur nga policia nuk përputhej me realitetin. Kishte mospërputhje serioze mes akteve, dhe kjo u konstatua edhe nga vetë gjykata,” deklaroi Barjami.
Ai shtoi se, në vend që të korrigjonte pozicionin, prokurori i çështjes reagoi në mënyrë të tensionuar dhe, sipas tij, shkoi deri në kërcënime verbale brenda sallës së gjyqit.
“Unë fola qetësisht, vetëm në aspektin ligjor. Ishte detyrë e prokurorit të sqaronte qëndrimin e tij, por ai reagoi ashpër. Edhe gjyqtarja nuk e menaxhoi si duhet situatën. Kërcënimi nga prokurori është vepër penale dhe ai nuk kishte asnjë atribut ligjor për të më arrestuar,” tha ai.
Barjami tregoi se, edhe pse pati mundësi të bënte kallëzim për këto veprime, zgjodhi të mos e bëjë për shkak të parimeve të tij.
“Unë nuk bëj kallëzim ndaj kolegëve dhe nuk mbroj klientë që ushtrojnë krime ndaj njerëzve të pafajshëm. Kështu kam vepruar gjithmonë dhe kështu do të vazhdoj,” u shpreh ai.
Avokati shtoi se hetimet janë ende në fillimet e tyre dhe se ai do të vazhdojë ndjekjen e çështjes deri në fund, pavarësisht vendimeve të klientit që përfaqëson.
“Në fakt ishte një seancë masë sigurimi, që ndodh tre ditë pas arrestimit. Ishte një seancë maratonë. Konstatova që kishte mospërputhje të akteve. Asnjëri nga këto akte nuk përputhej me njëri tjetrin. I thash që kam nevojë që prokurori të konstatojë qëndrimin e tij, thash që dikush këtu gënjen, të qëllimshëm ose jo nuk e di. Pasi gjykata e konstatoi këtë fakt, prokurori sajoi më shumë se sa saktësoi. Prokurori mezi lexonte, është për të ardhur keq.
Unë kisha çështjen e kapjes së disa personave për armë mbajtje pa leje, personi që unë mbroja akuzohej për kundërshtim të policisë gjatë arrestimit. Kur u hapën pamjet e kamerave të sigurisë të lokalit në sallë u konstatua ajo që thash unë, aty u provua një skandal, personi që unë mbroja nuk kishte kundërshtuar policinë. Ne konstatuam që nuk ka vepër penale nga personi që unë mbroja, por nga policia për procesverbalin që kishte mbajtur, por edhe prokurori. Hetimet vazhdojnë, ky është fillimi fare.
Prokurori reagon, unë kam folur qetësisht, nuk më rëndonin mua, fola ligjërisht për paligjshmërinë që ndodhi. Unë thash se pavarësisht vendimit të personit që mbroja unë do ta ndiqja çështjen. Prokurori reagoi keq, edhe gjyqtarja nuk e menaxhoi dot momentin dhe unë e pash. Prokurori kërcënoi aty, është vepër penale, nuk ka atribut të më arrestojë mua. Edhe kur u mbyll seanca, unë mbajta qëndrimin tim. Konkluzioni im ishte që u provua shkelja që unë konstatova.
Gjyqi ndodhi të premten, të shtunën më thirrën në komisariat. Nuk do bëja kallëzim edhe pse e thash këtë, sepse kam parimet e mia, që nuk do bëj kallëzim ndaj kolegëve dhe nuk do mbroj klientë që bëjnë krime ndaj të maturve. Si procedurë për mua është e paligjshme”, u shpreh avokati.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



