Arrestimi i Ulian Barjamit, Dhoma e Avokatisë merr vendimin drastik
Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka shpallur bojkot të përgjithshëm të proceseve penale në të gjithë vendin, në protestë ndaj arrestimit të avokatit Ulian Barjami. Vendimi u miratua unanimisht nga Komiteti Drejtues dhe është firmosur nga kreu i Dhomës, Prof. Dr. Maksim Haxhia.
Bojkoti do të zgjasë nga data 20 deri më 25 tetor 2025, duke përjashtuar vetëm çështjet që lidhen me masat e sigurimit personal. Gjatë kësaj periudhe, avokatët nuk do të marrin pjesë në asnjë proces penal, as në fazën e hetimit dhe as në gjykim. Dhoma thekson se mospjesëmarrja do të jetë arsye legjitime për shtyrjen e seancave gjyqësore.
Në njoftim paralajmërohet se mosrespektimi i bojkotit do të trajtohet si shkelje e rëndë disiplinore, e cila mund të sjellë pezullim apo heqje licence për avokatët.
Dhoma i ka bërë thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë që të ndërhyjnë urgjentisht për të shqyrtuar rastin Barjami, duke e cilësuar atë si cenim të rëndë të pavarësisë së profesionit të avokatit.
Gjithashtu, është shtyrë edhe tryeza me Ministrinë e Drejtësisë për datën 20 tetor, ku do të diskutohej Projekt Kodi Penal.
Vendimi i bojkoti është shpërndarë në të gjitha Dhomat Vendore të Avokatisë dhe do t’u përcillet zyrtarisht gjykatave dhe institucioneve të drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



