SPAK merr të pandehur Belinda Ballukun
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku, si person nën hetim për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Sipas burimeve, numri dy i qeverisë “Rama 4” është thirrur të paraqitet në ambientet e SPAK-ut të hënën, në bazë të një shkresë zyrtare të firmosur nga prokurori i Posaçëm Dritan Prenci. Fletëthirrja, e dorëzuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, i kërkon Ballukut të paraqitet e shoqëruar nga një avokat — një detaj që zakonisht tregon se mund t’i komunikohet zyrtarisht një akuzë penale.
Burime pranë hetuesisë bëjnë me dije se ndjekja penale ndaj zëvendëskryeministres pritet të ushtrohet pa masë sigurie, çka nënkupton se SPAK nuk do t’i kërkojë Kuvendit autorizim për vijimin e hetimeve.
SPAK nuk ka dhënë ende detaje mbi dosjen konkrete që e përfshin Ballukun, por ndaj saj ekzistojnë disa kallëzime penale, përfshirë atë që lidhet me tenderin e tunelit të Llogarasë, ku vlera e kontratës së fituar nga një kompani turke u rrit me mbi 50 milionë euro.
Ende nuk dihet nëse znj. Balluku do t’i përgjigjet fletëthirrjes së Prokurorisë së Posaçme. Mbete të paqartë gjithashtu nëse ajo do të vijojë të qëndrojë në postet qeveritare apo do të zgjedhë të dorëhiqet për të përballuar hetimin pa mbështetjen politike të Partisë Socialiste.
Belinda Balluku mban detyrën e zëvendëskryeministres që prej korrikut 2022, ndërsa postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë që prej janarit 2019. Ajo është gjithashtu drejtuese politike e qarkut Fier, ku në zgjedhjet e 11 majit Partia Socialiste fitoi 12 mandate
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



