E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Grabitja e shekullit, ende asnjë gjurmë e bizhuterive me vlerë 88 mln euro
Bota

Grabitja e shekullit, ende asnjë gjurmë e bizhuterive me vlerë 88 mln euro

ADN-ja “tradhton” autorët

Një detaj i vetëm, një gjurmë ADN-je, ishte çelësi që ndihmoi hetuesit francezë të zhbllokonin çështjen e grabitjes spektakolare në Muzeun e Luvrit, duke çuar në arrestimin e dy personave mbrëmjen e së shtunës.

Sipas televizionit BFMTV, që citon burime pranë grupit hetimor, njëri prej të dyshuarve u identifikua pikërisht falë gjurmës biologjike të gjetur në vendin e ngjarjes.

Që prej momentit të grabitjes së bujshme, e cilësuar nga mediat si “grabitja e shekullit”, ekipet e policisë mjeko-ligjore kanë punuar intensivisht në zonë për të mbledhur çdo provë të mundshme.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, deklaroi të enjten se nga skena e krimit janë marrë më shumë se 150 mostra biologjike, përfshirë gjurmë ADN-je, shenja gishtash dhe materiale të tjera që mund të ndihmojnë hetimin.

Në vendin e grabitjes, autorët kishin lënë pas disa objekte si një helmetë, radio dore, jelek sigurie dhe mjet prerës metalesh, sende që besohet se kanë ndihmuar ekspertët në identifikimin e tyre.

Pas analizave laboratorike, njëra nga gjurmët rezultoi përputhëse me ADN-në e një personi të njohur më parë për policinë, çka çoi në arrestimin e tij.

Të arrestuarit janë rreth 30 vjeç dhe banues në zonën e Aubervilliers, në periferi të Parisit. Ende nuk është përcaktuar roli i saktë i secilit në grabitje, por hetuesit i konsiderojnë “të dyshuarit kryesorë”.

Sipas Le Monde, njëri prej tyre ka shtetësi franceze dhe algjeriane, dhe u ndalua në aeroportin Charles de Gaulle, teksa përgatitej të udhëtonte drejt Algjerisë. Personi tjetër është me shtetësi franceze.

Forcat e rendit kishin vënë në ndjekje të dy të rinjtë për të zbuluar rrjetin e bashkëpunëtorëve dhe vendndodhjen e bizhuterive të vjedhura, të cilat vlerësohen në rreth 88 milionë euro.

Hetimi mori përshpejtim sapo policia zbuloi se njëri prej tyre po planifikonte të arratisej, çka i detyroi hetuesit të vepronin menjëherë.
Megjithatë, bizhuteritë e grabitura ende nuk janë gjetur, ndërsa kërkimet vazhdojnë në disa qytete të Francës dhe jashtë vendit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.