E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si kamufloheshin trafikantët e armëve që u zbuluan në “Myslym Shyri”?
Lajme

Si kamufloheshin trafikantët e armëve që u zbuluan në “Myslym Shyri”?

“Mirëmbajtja Rrugore” që i nxorri zbuluar

Detaje të reja kanë dalë nga operacioni i Policisë së Tiranës që çoi në sekuestrimin e një sasie të madhe armësh dhe municionesh. Trafikantët kishin zgjedhur një mënyrë të pazakontë për t’u kamufluar: përdornin një furgon me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se mjeti kishte më shumë se një muaj që qëndronte i parkuar në një zonë të qetë të kryeqytetit. Për gjithë këtë periudhë, furgoni ishte mbajtur nën vëzhgim nga agjentë civilë, për të identifikuar çdo person që i afrohej apo futej në të.

Ndërhyrja u krye pas një manovre të planifikuar nga Policia Rrugore, e cila u paraqit fillimisht me pretendimin se automjeti kishte bllokuar qarkullimin. Në momentin që u hapën dyert e furgonit, agjentët konstatuan menjëherë praninë e armëve dhe lajmëruan forcat e Krimeve të Rënda, që morën kontrollin e situatës.

Hetimet kanë zbuluar se furgoni, i cili mbante logon “Mirëmbajtja Rrugore”, ishte në pronësi të Eugert Sinos, 34 vjeç, tashmë i arrestuar si pjesë e grupit që dyshohet për trafik armësh dhe municionesh.

Gjatë marrjes në pyetje, Sino ka mohuar çdo lidhje me ngarkesën e sekuestruar, duke pretenduar se nuk kishte dijeni se kush i kishte futur armët në mjet, i cili sipas tij, kishte qëndruar i parkuar pranë banesës për disa ditë.

Ndërkohë, Policia po heton për të zbuluar nëse furgoni përdorej si magazinë lëvizëse armësh, apo si mjet transporti për furnizime në rrjetin e tregtisë ilegale të municioneve.

Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet dhe për zbardhjen e plotë të itinerarit që ka ndjekur trafiku i armëve.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “The van”.

Zbulohet një bazë ku ishte fshehur një arsenal armësh të dyshuara të trafikuara.

Sekuestrohen 23 armë zjarri (5 prej tyre me snajper), 1 silenciator, 17 krehra me municion luftarak, celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë, paisje për bllokimin e valëve, uniforma si të Policisë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Vihet në pranga 34-vjeçari që dyshohet se i posedonte.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që posedonte arsenal armësh, Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, ditën e sotme, ka zhvilluar në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “The van”. Në kuadër të këtij operacioni:
-u arrestua shtetasi E. S., 34 vjeç, banues në Tiranë si dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas, gjeneralitet e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkak të hetimit.

Gjatë operacionit, në rrugën “Myslym Shyri”, gjatë kontrollit në furgonin e shtetasit E. S. u gjetën:

-12 armë zjarri pistoletë të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;

-6 armë zjarri automatike;

-5 armë zjarri me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper);

-1 silenciator;

-17 krehra për armë zjarri të ndryshme;

-pjesë të ndryshme armësh zjarri;

-15 000 fishekë;

-17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia;

-12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë;

-pajisje elektronike gjurmuese (GPS);

-pajisje për bllokimin e valëve;

-pajisje për numërimin e kartëmonedhave;

-3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për zbardhjen e qëllimit të mbajtjes së arsenalit të armëve dhe të pajisjeve të sekuestruara.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.