Vrasja në Vorë, zbulohet e shkuara e errët e Edmond Sulës
Lidhja e tij me ekzekutimin e teknikut të kondicionerëve
Detaje të forta kanë dalë në dritë pas ekzekutimit me snajper të Edmond Sulës në fshatin Bërxull të Vorës, një ngjarje që ka rikthyer në vëmendje të kaluarën kriminale të viktimës dhe lidhjet e tij me një nga vrasjet më të bujshme në Tiranë.
Sipas burimeve dhe raportimeve të gazetarit Elton Qyno, Edmond Sula rezulton të ketë qenë i arrestuar më herët për përfshirje në vrasjen e Indrit Çelajt, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019 në rrugën “Myslym Shyri”. Çelaj, me profesion teknik kondicionerësh, u ekzekutua brenda ambienteve të një prone që lidhej me familjen Kusi.
Hetimet e asaj kohe nxorën në pah se Sula kishte lidhje të afërta shoqërore me vëllezërit Albano dhe Bujar Kusi, emra të përfshirë në këtë dosje kriminale. Referuar të njëjtave burime, Sula u arrestua me akuzat për “vrasje me dashje në bashkëpunim”, “armëmbajtje pa leje” si dhe “përkrahje të autorit të krimit”, ku në qendër të akuzës ishte Albano Kusi.
Megjithatë, pavarësisht peshës së rëndë të akuzave, Edmond Sula arriti të shmangë dënimin përfundimtar, duke u liruar nga burgu në vijim të procesit gjyqësor.
Në të njëjtën çështje u ndaluan edhe persona të tjerë, mes tyre Ferdinand Bakalli dhe Luan Çakaj, të akuzuar për “moskallëzim krimi” dhe “pengim të zbardhjes së së vërtetës”. Më pas, hetimet u thelluan duke çuar në arrestimin e Griseldo Kusit, Lorenc Veliajt dhe Bujar Kusit.
Ndërkohë, Albano Kusi vijon të mbetet në kërkim nga autoritetet, edhe pse ndaj tij ekziston një vendim dënimi nga Gjykata e Apelit në Tiranë.
Ekzekutimi i fundit i Edmond Sulës në Vorë shihet nga grupet hetimore si një ngjarje me sfond të mundshëm hakmarrjeje apo përplasjeje mes grupeve kriminale, ndërsa pista kryesore mbetet e hapur për verifikime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



