Belinda Balluku duhet të paraqesë ‘forcën’ sot në SPAK
Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, është thirrur për t’u paraqitur këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).
Balluku duhet të jetë në ambientet e SPAK-ut në orën 15:00, ku pritet t’i komunikohen zyrtarisht akuzat e ngritura ndaj saj.
Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se hetimet ndaj zv/kryeministres lidhen me dyshime për shkelje të barazisë në tendera, konkretisht në projektet e Llogarasë, ku më herët janë arrestuar disa ish-vartës të saj.
Ndër ta, ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, po përballet me disa akuza të rënda, së bashku me ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës.
Kjo është fletëthirrja e dytë drejtuar Ballukut, pasi herën e parë ajo nuk u paraqit, duke argumentuar se ndodhej jashtë vendit në një vizitë zyrtare.
Sipas ligjit procedurës penale, nëse subjektet nën hetim nuk i përgjigjen as thirrjes së dytë, SPAK ka të drejtë të kërkojë shoqërimin me forcë përmes Policisë së Shtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



