Lëshohen 8 masa sigurie për CFO Pharma dhe punonjës të FSDKSH
Zbardhen akuzat
Një hetim i gjerë i Prokurorisë së Tiranës ka zbuluar një skemë të organizuar mashtrimi me barnat e rimbursueshme, që përfshin administratorë kompanish farmaceutike dhe zyrtarë të Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).
Në total janë dhënë tetë masa sigurie, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Fshehja e të ardhurave”, të kryera në bashkëpunim.
Hetimet, të zhvilluara në bashkëpunim me Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe Seksioni i Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Tiranës, zbuluan se shtetasi F.M., administrator i subjektit “CFO Pharma”, ka përdorur kompanitë “Pharma Plus” dhe “Nedix Albania” për të krijuar skema fiktive blerjeje dhe shitjeje të barnave “Foster” dhe “Trimbow”, me qëllim përfitimin e fondeve të rimbursimit nga FSDKSH.
Si funksiononte skema
Sipas Prokurorisë, këto kompani kanë falsifikuar inventarët dhe faturat e blerjeve, duke krijuar fiktivisht sasi të mëdha medikamentesh që në realitet nuk ekzistonin.
Subjektet “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” kanë raportuar qindra mijëra kuti barnash pa asnjë blerje reale, për të krijuar mundësi fiktive shitjesh drejt “CFO Pharma”, e cila më pas lëshonte fatura false për disa farmaci.
-
“Pharma Plus” ka deklaruar 2000 kuti “Foster” dhe 1107 kuti “Trimbow” në vlerë 10 milion lekë, pa asnjë blerje.
-
“Medix Albania” ka raportuar 4000 kuti “Foster” dhe 11 500 kuti “Trimbow” në vlerë 60 milion lekë, po ashtu pa asnjë blerje.
Hetimi nisi pas kallëzimit të administratorit të “Medicamenta”, importuesit ekskluziv të barnave të rimbursueshme, i cili sinjalizoi se disa kompani dhe zyrtarë të Fondit po përfitonin në mënyrë të paligjshme fonde publike përmes shitjeve dhe inventarëve fiktivë.
Zyrtarë të Fondit nën hetim
Në qendër të hetimeve rezulton të jetë Drejtori i Përgjithshëm i FSDKSH, shtetasi S.Z., i cili akuzohet për firmosjen e kontratave fiktive me subjektet e përfshira.
Edhe disa punonjëse të Fondit, R.A., Z.M. dhe E.Gj., akuzohen se kanë verifikuar dhe miratuar inventarë të rremë të barnave, pa kryer kontroll fizik të produkteve në magazina.
Masat e sigurimit të vendosura nga Prokuroria:
-
F.M. (administrator i “CFO Pharma”) – Arrest në burg (aktualisht në kërkim)
-
S.Z. (Drejtor i FSDKSH) – Arrest në burg
-
A.Z., J.B., L.B. – Ndalim i daljes jashtë shtetit dhe Detyrim për t’u paraqitur në polici
-
Z.M., E.Gj. – Ndalim i daljes jashtë shtetit dhe Pezullim nga detyra publike
-
R.A. – Detyrim për t’u paraqitur në polici
Sipas Prokurorisë, provat e grumbulluara deri tani tregojnë një rrjet të mirëorganizuar mes sektorit privat dhe zyrtarëve publikë, që kishte për qëllim përfitimin korruptiv të fondeve të rimbursimit të barnave në shuma të mëdha monetare.
Hetimet pritet të zgjerojnë rrethin e personave nën hetim, ndërsa hetuesit po verifikojnë edhe përfshirjen e farmacive që kanë përfituar nga faturat fiktive.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



