Kryebashkiaku i ri i Nju Jorkut bëhet viral me “shqiponjën” dykrenare
Në rrjetet sociale po qarkullojnë me shpejtësi disa foto të kryebashkiakut të ri të Nju Jorkut, Zohran Mamdan, i cili është fotografuar duke bërë simbolin e shqiponjës. Këto imazhe janë realizuar nga fotografi me origjinë shqiptare, Erzen Gashi, i cili ka treguar se momenti ishte krejt spontan.
“Zohrani ka shumë miq shqiptarë dhe e ka parë shpesh këtë gjest. Në atë çast, një prej djemve që ishte me të i propozoi ta bënin për foto, dhe ai pranoi menjëherë me sportivitet”, tregon Gashi.
37-vjeçari, i lindur në Slloveni dhe i rritur në Shtetet e Bashkuara, vjen nga një familje me rrënjë shqiptare – babai nga Kosova dhe nëna nga Mali i Zi. Ai kujton se e njohu Mamdanin gjatë fushatës elektorale, në një aktivitet ku merrte pjesë komuniteti shqiptar në Nju Jork.
“Ishte një event ku më ftoi një mik, Dritan Fida. Aty u krijua rasti të fotografoja Mamdanin. Është shumë i afërt, i qeshur dhe i thjeshtë në komunikim. Jep përshtypjen e një njeriu të ndershëm, si në foto, ashtu edhe në realitet”, rrëfen ai.
Fitorja e Mamdanit, një politikan i ri mysliman me prejardhje afrikano-indiane, është cilësuar si historike. Sipas Erzenit, komuniteti shqiptar e ka pritur me entuziazëm këtë ndryshim.
“Kam biseduar pak me të. I tregova se jam mysliman dhe emigrant. Ndihet një frymë shprese te shqiptarët këtu. Pas shumë vitesh, më duket se qyteti po merr energji pozitive. Shumë prej nesh besojmë se ai do të mbrojë emigrantët, që shpesh janë ndier të pasigurt,” shprehet ai.
Edhe pse Gashi punon në sektorin shëndetësor, pasioni i tij i vërtetë është fotografia. Ai shpreson që fotot me Mamdanin t’i hapin rrugë një bashkëpunimi të ardhshëm.
“Ia kam dërguar fotot që realizova atë ditë dhe i thashë se, nëse i duhet sërish ndonjë fotograf, do isha i lumtur ta bëja. Më pëlqen shumë më tepër të punoj me imazhe sesa në profesionin tim aktual,” përfundon ai me buzëqeshje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



