Gent Gazheli në qendër të dyshimeve për çështjen “Bankers”?
A po shpërthen një mega aferë në Dogana?
Një aferë financiare me vlerë qindra milionë euro mund të jetë duke u zbuluar në zemër të sistemit doganor shqiptar, ku në qendër të vëmendjes është vënë Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli, figurë që burime brenda institucionit e përshkruajnë si “i paprekshëm” dhe “Don Zhuani i Doganave”.
Sipas informacioneve të referuara tashmë në SPAK, hetimet mund të lidhen me një çështje të ngritur prej disa vitesh, që ka të bëjë me gjobën ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”, me një shumë që në dokumentet paraprake shkon deri në 130 milionë euro.
Burime nga Prokuroria e Fierit bëjnë me dije se çështja është përcjellë për kompetencë në SPAK, pas një hetimi paraprak që ka nisur që në vitin 2020.
Në atë periudhë, pas emërimit të Gent Gazhelit si drejtor i Përgjithshëm, mësohet se shefi i Degës Doganore të Fierit, Olti Kuke, ka njoftuar drejtuesit qendrorë për një gjobë fillestare prej 30 milionë euro ndaj kompanisë “Bankers”.
Por më pas, sipas të njëjtave burime, kjo shumë është rritur në 130 milionë euro, pas rivlerësimeve të kërkuara nga hetimet tatimore. Ajo që mbetet e paqartë është pse dosja është pezulluar për vite të tëra, ndonëse ligji kërkon një vendim brenda 6 muajve.
Në dokumentet e dosjes ndodhen dy shkresa zyrtare që, sipas burimeve, dëshmojnë komunikimin mes degës së Fierit dhe Drejtorisë së Përgjithshme, por ende nuk dihet pse nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar.
Dyshime për ndërhyrje dhe takime jashtë protokollit?
Burime jozyrtare pohojnë se Gazheli mund të ketë zhvilluar takime personale me përfaqësues të kompanisë “Bankers Petroleum” gjatë kësaj periudhe, megjithëse këto pretendime nuk janë konfirmuar nga asnjë organ hetimor.
Ish-shefi i Doganës së Fierit, Olti Kuke, është shkarkuar vetëm pak muaj më parë dhe është transferuar në një pozicion të ulët, lëvizje që disa e lidhin me përpjekjen për ta “zbehur” zërin e tij mbi këtë çështje.
Rasti “zgjidhet” vetëm pas pesë vitesh
Vetëm pas pesë vitesh “heshtje administrative”, gjobës ndaj Bankers Petroleum i është rikthyer vëmendja, menjëherë pasi dosja iu kalua SPAK-ut dhe kur çështja u përmend publikisht nga Kryetari i KLSH-së në Kuvend dhe më pas nga deputeti Erion Braçe.
Ky përkim kohor ka ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi mënyrën si është menaxhuar dosja dhe nëse ka pasur ndikime politike për ta mbajtur nën kontroll.
Afera të tjera në horizont?
Gent Gazheli, që në qarqet e administratës njihet edhe si “Drejtori i 2030-s”, mund të përballet së shpejti me të tjera kallëzime që lidhen me abuzime të dyshuara në sektorin e akcizës dhe në tregtinë e mallrave të ndjeshme.
As vetë Gazheli nuk ka dhënë ende një reagim publik lidhur me këto zhvillime, ndërsa SPAK nuk ka konfirmuar nëse ka nisur zyrtarisht hetimet për këtë çështje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



