A do përfundojë Balluku pas hekurave? Ish-prokurori zbulon prapaskenat
Pas publikimit të përgjimeve dhe nisjes së hetimeve nga SPAK, një nga pyetjet që po shtrohet gjerësisht është nëse zëvendëskryeministrja Belinda Balluku mund të përfundojë pas hekurave.
Ish-prokurori Eugen Beci tha se një skenar i tillë nuk është domosdoshmërisht i detyrueshëm, pasi gjithçka varet nga vepra penale për të cilën ajo akuzohet dhe niveli i rrezikshmërisë së saj juridike.
“Jo domosdoshmërisht. Nuk hyn te ato veprat penale që kanë një marzh të lartë dënimi. Akuza për ‘shkelje të barazisë në tendera’, për shembull, nënkupton se SPAK ka lidhur procedurën e një tenderi me komunikime apo marrëdhënie që mund të kenë ndikuar në procesin e përzgjedhjes,” u shpreh Beci.
Sipas tij, nëse hetimi nis për shkelje administrative apo korrupsion pasiv, atëherë rasti trajtohet ndryshe.
“Nëse është bërë nga një padi ose për shkelje të korrupsionit, çështja do të hetohet. Por masa e sigurimit nuk është automatike,” – shtoi ai.
Beci theksoi gjithashtu se në raste të veçanta, masa e sigurimit për gratë mund të trajtohet me më shumë kujdes, nëse ekzistojnë rrethana humane.
“Një zonjë me fëmijë të porsalindur, apo me probleme të rënda shëndetësore, mund të përfitojë lehtësim në masën e sigurisë. Por për pjesën tjetër nuk ka përjashtime, ligji është i njëjtë për të gjithë,” tha ish-prokurori në emisionin “Log” .
Por ajo që e bëri më të fortë deklaratën e tij ishte paralajmërimi se hetimi ndaj Ballukut mund të mos kufizohet vetëm te një çështje.
“Fakti që zëvendëskryeministrja e Shqipërisë është marrë nën hetim, më bën të besoj se SPAK do të ecë më tej me prova të tjera që mund të çojnë në hetime të reja për çështje të tjera që janë aktualisht në proces,” deklaroi Beci.
Sipas tij, hetuesit e SPAK po ndjekin një qasje objektive për caktimin e masave të sigurimit, por gjithçka do të varet nga zhvillimet në prova.
“Nëse faktohet se mund të cënohen provat, atëherë SPAK mund të ketë arsye të forta për të kërkuar masa sigurie më të rënda,” përfundoi ish-prokurori.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



