Memli Krasniqi jep dorëheqjen nga drejtimi i PDK-së
Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Lajmin ai e bëri të ditur gjatë një konference për media, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë.
“Ka qenë nder të udhëheq Partinë Demokratike të Kosovës,” tha Krasniqi, duke shtuar se gjatë katër viteve në krye të PDK-së, bashkë me ekipin e tij kanë kaluar shumë sfida dhe momente të rëndësishme politike.
Duke reflektuar mbi periudhën e udhëheqjes së tij, Krasniqi theksoi se PDK ka shënuar përparim dhe është forcuar ndjeshëm në skenën politike, por një parti e madhe ka gjithmonë nevojë për ripërtëritje.
“Një parti që beson në zhvillim, duhet të besojë edhe në ripërtëritje. Një lidership që kërkon ndryshim për Kosovën, duhet të ketë guximin të krijojë hapësirë për ndryshim brenda vetes. Prandaj, kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës,” tha ai.
Kjo lëvizje hap rrugën për një proces të ri brenda PDK-së dhe për zgjedhjen e një drejtuesi të ri që do të udhëheqë partinë në sfidat e ardhshme politike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



