Trondit studiuesi shqiptar: Vendimi i Hagës, pozitiv për Kosovën!
Deklarata e studiuesit në “Top Story” shkaktoi debate në studio, ndërsa Robert Rakipllari dhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, reaguan ndaj tij.
Studiuesi i shkencave politike Nexhmedin Spahiu ka komentuar në një lidhje live në emisionin “Top Story” zhvillimet e fundit lidhur me Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, duke argumentuar se institucioni nuk duhet të shpërbëhet dhe se vendimi i saj duhet parë si pozitiv për Kosovën.
Spahiu u ndal te mënyra se si u krijua Gjykata Speciale, duke rikujtuar debatin politik në Kosovë në kohën kur u votua themelimi i saj. Sipas tij, rikthimi te ideja e shkrirjes së gjykatës në këtë fazë do të ishte një veprim që do të dëmtonte seriozitetin institucional të Kosovës.
Ai e konsideroi gjithashtu të rëndësishëm faktin që, sipas interpretimit të tij, vendimi i fundit nuk e cilëson UÇK-në si përgjegjëse për krime kundër njerëzimit apo për një fushatë përndjekjeje ndaj popullsisë serbe në Kosovë.
“Të zhbëhet Gjykata Speciale tani, tregon jo seriozitet kulmor të Kosovës. Është tepër pozitiv kur thotë se UÇK-ja nuk ka bërë krime kundër njerëzimit, nuk ka përndjekur popullatën serbe në Kosovë”, deklaroi Spahiu.
Ai shtoi se ky zhvillim, sipas tij, dëmton narrativën e përdorur nga Beogradi zyrtar për luftën në Kosovë, duke përmendur presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe zyrtarë të tjerë të Serbisë.
Deklaratat e studiuesit sollën reagime të menjëhershme në studio. Drejtori i informacionit në Top Channel, Robert Rakipllari, iu përgjigj me ironi, duke vënë në dukje entuziazmin e Spahiut për vendimin.
“Vuçiç nuk ishte gëzuar aq sa duhet, se ishte i gëzuar, por nuk ishte gëzuar aq sa ti, ti dukesh më i gëzuar se ai”, tha Rakipllari.
Në debat ndërhyri edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila e zhvendosi diskutimin te përmbajtja konkrete e vendimit dhe përgjegjësitë penale të përcaktuara prej tij.
“Është koha sot mos të merremi se çfarë ka ndodhur, por në çfarë duhet të bëjmë. Të më thotë për cilin krim janë dënuar?”, reagoi Musliu.
Debati në studio u zhvillua në një kohë kur vendimet e Gjykatës Speciale në Hagë kanë rikthyer në qendër të diskutimit në Kosovë çështjen e përgjegjësisë individuale për krimet e pretenduara gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999, si dhe të ardhmen e këtij institucioni.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



