E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arrestohet ish-polici që pa ERVIS MARTINAJN para ZHDUKEJ
Flash

Arrestohet ish-polici që pa ERVIS MARTINAJN para ZHDUKEJ

ARRESTIM I BUJSHËM NË KAMËZ – KUSH ËSHTË JETON LAMI, ISH-POLICI QË PA I FUNDIT ERVIS MARTINAJN PARA SE TË ZHDUKEJ

Akuzohet se vendosi tritolin ndaj biznesmenit në Kamëz

Jeton Lami, Florin Domi dhe Flogert Mezhika janë arrestuar si autorë të vendosjes së tritolit në restorantin Perla e Detit në Kamëz, në pronësi të Klodjan Muratit dhe Benard Elezit, kunetër.

Tritoli për 500 mijë euro: Zbardhen prapaskenat e shpërthimit në restorantin në Kamëz

Ish-oficeri i forcave operacionale, Jeton Lami, i cili ishte liruar më 24 nëntor 2023 pas një dënimi për shpërdorim detyre, është personi i fundit që ka takuar Ervis Martinajn para zhdukjes së tij në gusht 2022. Lami ka mohuar çdo lidhje të ngushtë me Martinajn, duke deklaruar se e ka shoqëruar atë për në Durrës vetëm pas një takimi rastësor.

Hetuesit kanë dokumentuar lëvizjet e Martinajt në Durrës përmes kamerave të sigurisë, ku Lami e ka shoqëruar në një hotel në praninë e një vajze të paidentifikuar. Sipas dëshmive, më 7 gusht 2022 është regjistruar imazhi i fundit i Martinajt në qytetin e Durrësit dhe Tiranës, ndërsa më 10 gusht xhaxhai i tij ka denoncuar humbjen e kontakteve me të.

Ndërkohë, për ngjarjen e Kamzës është shpallur në kërkim Ervis Lami, 31-vjeç, i cili ka rekorde kriminale dhe ishte shpallur në kërkim që nga janari i këtij viti pas gjetjes së një automatiku në banesë gjatë kontrolleve për vrasjen e Lulzim Vishës. Autoritetet vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe lidhjeve kriminale të përfshira.

Nga Operacionalja tek shërbimet për Martinajn

Jeton Lami u arrestua edhe në vitin 2022, pasi akuzohej se kishte ndihmuar Martinajn, një nga figurat më të kërkuara të botës së krimit, duke e strehuar dhe transportuar gjatë kohës që ai ishte i shpallur në kërkim nga SPAK.

Sipas dosjes hetimore, Lami e kishte shoqëruar Martinajn disa herë nga Lezha, Laçi dhe Shkodra, duke i siguruar lëvizje të fshehta për t’i shpëtuar policisë dhe kundërshtarëve të tij.

Në vend që ta arrestonte, ish-agjenti ishte shndërruar në “shoferin” dhe “truprojen” e Martinajt — një veprim që prokuroria e cilësoi si shkelje të rëndë të detyrës.

Personi i fundit që e pa Martinajn gjallë

Sipas hetimeve, Jeton Lami është njeriu i fundit i identifikuar që ka qenë me Ervis Martinajn para zhdukjes së tij misterioze.

Pamjet e kamerave të sigurisë të datës 7 dhe 9 gusht 2022 tregojnë momentet kur Lami e merr Martinajn me Audi A8 dhe e dërgon në një hotel në Durrës, së bashku me të dashurën e këtij të fundit. Këto janë pamjet e fundit ku “mbreti i kumarit” shfaqet publikisht.

Martinaj rezulton i zhdukur që prej 10 gushtit 2022, ndërsa familja e tij ka dorëzuar kallëzim në polici dhe vetë ka gjetur pamjet e kamerave që ndihmuan identifikimin e rolit të Lamit.

Pretendimet e tij: “Nuk e dija që kërkohej ndërkombëtarisht”

Në qershor të vitit të kaluar, Lami i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs duke kërkuar pafajësi, me pretendimin se ai nuk ka pasur informacion se Martinaj ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, duke akuzuar eprorët se nuk e kishin njoftuar strukturën e Forcës Operacionale.

Sot, sërish në pranga për tritol në Kamëz

Pas ngjarjes së rëndë në Kamëz, ku një biznesmeni iu vendos tritol në automjet, hetimet çuan sërish te Jeton Lami, i cili rezulton të jetë një nga personat e ndaluar nga policia.

Autoritetet po verifikojnë nëse ngjarja ka lidhje me konfliktet kriminale të të shkuarës, me lidhjet e tij me Martinajn, apo me ndonjë porosi të re nga grupet kriminale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.