Pse Rama do ta humbasë në Kushtetuese çështjen e Belës?
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për mbrojtje politike ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila ndodhet aktualisht nën hetim dhe është pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme.
Bardhi ka theksuar se përballja e tij me Ballukun nuk ka qenë kurrë personale, por lidhet me atë që ai e konsideron si modelin më të korruptuar të qeverisjes në 12 vitet e fundit. Sipas tij, marrja e Ballukut si e pandehur duhej të shoqërohej me përgjegjësi politike nga qeveria, dhe vendimi për pezullimin nuk duhej të pritej nga Gjykata, pasi kryeministri duhej ta kishte larguar menjëherë nga detyra.
Ai ka folur edhe për hetimet mbi çështjet e tenderëve, duke theksuar se dokumentacioni i marrë nga SPAK nuk është provë e mjaftueshme sipas ligjit, dhe se vartësit e Ballukut mund të jenë të intimidosur në procesin e dhënies së dëshmive. Bardhi ka sqaruar gjithashtu se hetimet për disa çështje të tjera janë ende në zhvillim dhe se çdo politikan i korruptuar duhet të përballet me ligjin. Ai ka kujtuar se ka dërguar në SPAK edhe disa dosje të tjera dhe pret hetime të paanshme për të gjitha çështjet.
Kreu i grupit parlamentar të PD, në emisionin “Breaking”, ka kritikuar ashpër edhe mënyrën si po vepron kryeministri, duke theksuar se është e pazakontë që një i pandehur të përdorë zyrën e ministrit dhe Këshillin e Ministrave si “zyrë avokatie” për të kërkuar shfuqizimin e një mase ndaj tij. Bardhi e ka cilësuar këtë situatë si një precedent unik, duke theksuar se mesazhi i dërguar nga kryeministri është se Balluku ka një trajtim të veçantë krahasuar me të gjithë të tjerët që përballen me drejtësinë.
Ai gjithashtu ka bërë diferencën mes funksionit të Ballukut si deputete dhe rolit të saj ekzekutiv si zv.kryeministre, duke sqaruar se pezullimi nga Gjykata nuk përfshin mandatet e saj si deputete, por vetëm detyrat ekzekutive. Sipas Bardhit, kryeministri ka kompetencën për të emëruar ose shkarkuar një ministër, por kërkesa e tij për pezullimin është e papranueshme nga pikëpamja kushtetuese, dhe nuk pengon funksionimin e ministrisë, pasi aty ka zv.ministra të tjerë që mund ta drejtojnë atë.
“Pa diskutim që dokumentacioni është marrë në dorëzim nga SPAK, por provë sipas ligjit nuk është dokumentacioni i tenderit. SPAK-u ka marrë në pyetje shumë vartës të zonjës Balluku dhe ata duke pasur atë eprore mund të intimidohen për të treguar të vërtetën. Siç ka konfirmuar edhe gjykata vijojnë hetimet për disa çështje të tjera. Besoj së çdo politikan i korruptuar duhet të shkojë në burg. I kam dërguar SPAK disa çështje dhe nëse hetohen në mënyrë të paanshme fati ligjor i Ballukut është i përcaktuar, është ai i çdo personi që abuzon me detyrën.
Ky është rasti i parë në botë që një i pandehur përdor zyrën e ministrit dhe këshillit të ministrave si zyrë avokatie për të kërkuar shfuqizim të një mase ndaj tij. Në çdo rast vetë i pandehuri është ai që i drejtohet gjykatës. Është atipike që kryeministri është shndërruar në zyrë avokatie. Ka dashur të japë një mesazh që, Balluku ka një status të posaçëm nga gjithë të pandehurit e tjerë.
Kryeministri ka kompetencën e emërimit dhe shkarkimit të një ministri, por Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur shkarkimin, por e ka pezulluar, nuk ushtron dot funksiononin për shkak të masës. Nuk ka shkarkim të saj nga detyra. Nga pikëpamja kushtetuese kërkesa e kryeministrit është e papranueshme.
Deputeti është funksion publik, por Balluku nuk është pezulluar nga funksioni i deputetes. Janë pezulluar funksionet e saj ekzekutive. Kryeministrin nuk e pengon kush të emërojë një zv.kryeministres të dytë. Në ministrinë e Infrastrukturës nuk ka asnjë ngërç, sepse aty janë dy ose 3 zv.ministra, të cilët mund të drejtojnë ministrinë,” tha Bardhi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



