E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shehaj nxjerr dokumentin: Si u zhdukën 120 mln€ me firmën e Ballukut
Lajme

Shehaj nxjerr dokumentin: Si u zhdukën 120 mln€ me firmën e Ballukut

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka bërë publike sot disa dokumente që, sipas tij, tregojnë se qeveria ka favorizuar kompaninë “Bankers Petroleum”, duke i shmangur pagesën e afro 120 milionë eurove. Sipas Shehajt, një shkresë e vitit 2019 e firmosur nga ministrja Belinda Balluku i kërkonte Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të ndalonin çdo veprim për mbledhjen e kësaj shume.

Ai shpjegoi se detyrimi ndaj “Bankers Petroleum” daton që nga viti 2016, kur Doganat kanë vendosur një gjobë për evazion fiskal, të lidhur me mospagimin e aksizës në import. Edhe pse strukturat shtetërore kanë tentuar të rikuperojnë shumën, Shehaj pretendon se procesi është penguar nga ndërhyrja politike, derisa është dërguar shkresa zyrtare që kërkonte pezullimin e veprimeve.

Sipas kryetarit të Partisë Mundësia, situata është thelluar edhe më tej me vendimin e mazhorancës për të miratuar një amnisti fiskale që, siç thekson ai, ka si efekt fshirjen e kësaj gjobe. Shehaj e quan këtë hap një mënyrë për të shmangur përfundimisht pagesën e detyrimit dhe për t’i shpëtuar kompanisë nga përgjegjësitë financiare që i takonin.

Ai thekson se ndërhyrja e SPAK ka ndryshuar dinamikën e çështjes. Prokuroria e Posaçme, sipas tij, ka hapur një hetim, ka mbledhur dokumentacion nga institucionet përkatëse dhe po shqyrton pretendimet për abuzime në trajtimin e kësaj gjobe. Shehaj nënvizon se, pavarësisht vullnetit politik, çështjet e dyshuara për korrupsion po shkojnë drejt hetimit dhe përgjegjësisë.

Në mbyllje, ai thotë se rasti prej 120 milionë eurosh është shembull i një situate që, sipas tij, nuk do të kishte marrë drejtimin e duhur pa ndërhyrjen e SPAK, dhe se vetëm përmes këtij hetimi ekziston mundësia që fondet e munguara t’i kthehen buxhetit të shtetit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.