E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Erion Boba vdiq, sepse e vrau shteti që heshti
Flash

Erion Boba vdiq, sepse e vrau shteti që heshti

Vdekja e 15-vjeçarit Erion Boba nga Durrësi nuk është thjesht një humbje tragjike për një familje të thjeshtë shqiptare.

Është aktakuzë ndaj një sistemi shëndetësor dhe institucional që funksionon veç për privilegjuarit.

Është pasqyra më brutale e një shteti që zhduket pikërisht atëherë kur duhej të ishte më i forti, më i shpejti dhe më njerëzori.

Erioni luftoi për 9 ditë mes jetës dhe vdekjes. 9 ditë i intubuar, i shtrirë në reanimacion, ndërsa familja kërkonte me dëshpërim një mundësi për ta transferuar jashtë. 9 ditë ku çdo minutë vlente më shumë se çdo reformë, çdo deklaratë politike, çdo konferencë shtypi.

Dhe çfarë bëri shteti?

Heshti.

Asnjë shpjegim. Asnjë ndërhyrje. Asnjë urgjencë.

Një adoleshent dhimbshëm i varur nga një fije shprese, ndërsa institucionet që paguhen të na mbrojnë jetët zgjodhën rolin e spektatorit.

Nëse kjo nuk quhet dështim, çfarë quhet?

Pse familja u detyrua të lypte ndihmë në rrjete sociale?

Sepse në Shqipëri shëndeti nuk është e drejtë – është privilegj.

Transporti mjekësor jashtë vendit nuk varet nga urgjenca mjekësore, por nga emri që mban, numrat që ke në telefon dhe dyert që mund të të hapen.

Për fëmijët e ministrave, helikopterët nisen brenda orësh.

Për familjet e deputetëve, procedurat shkelen për të shpëtuar një jetë.

Për të afërmit e njerëzve me pushtet, shteti sillet si trup special me reagim të menjëhershëm.

Për Erion Bobën?

Shteti u kthye në mur. Ky është turp kombëtar.

Turp për  ministren Sala që sot shprehet “e ttronditur”.

Turp për një sistem që sheh adoleshentin duke shuar e bën pazar me minuta, procedura dhe letra.

Ministrja Evis Sala dhe sistemi që dështon çdo ditë

Nuk mjafton të thuhet se mjekët u përpoqën. Askush nuk dyshon te mjekët.

Ata punojnë me duar të lidhura, me mungesa, me presion, me paisje të shekullit të kaluar.

Problemi nuk është brenda pavionit problemi është te politika që e ka lënë shëndetin publik si arkeologji.

Ministria e Shëndetësisë mbetet përgjegjëse morale dhe institucionale.

Sepse në këtë vend kemi dy lloj jetësh:

  • Jetët që shteti i mbron me çdo kusht sepse kanë lidhje.
  • Jetët që shteti i lë të fikën ngadalë sepse nuk kanë asgjë.

Erioni nuk kishte para. Nuk kishte pushtet. Nuk kishte mbiemrin e duhur.

Kishte vetëm të drejtën për të jetuar por kjo nuk mjaftoi.

Po të ishte djali i një deputeti, do priste 9 ditë?

Jo. E di çdo shqiptar.

Nuk do të kërkoheshin fonde online.

Nuk do të negocioheshin minuta në korridoret e spitaleve.

Nuk do të varej jeta e tij nga ndjekësit në Instagram.

Dhe pikërisht ky është çelësi i tragjedisë:

Ne jemi bërë vend ku fëmijët trajtohen ndryshe sipas klasës sociale.

Ku një jetë vlen më shumë se një tjetër.

Ku shpresa është luks.

Sot, zemra e Erionit pushoi së rrahuri — por heshtja 9-ditore e shtetit do të kumbojë gjatë.

Ajo është njolla e radhës e një sistemi që fëmijëve u jep premtime, por jo jetën që meritojnë.

Dhe nesër?

Nesër mund të jetë një Erion tjetër.

Një nënë tjetër që qan.

Një familje tjetër që lutet.

Një shpresë tjetër që shuhet.

Nëse kjo histori nuk na revolton, atëherë kemi problem shumë më të madh sesa mungesën e shtetit — kemi vdekur edhe ne nga brenda.

Qoftë i paharruar Erion Boba.

Por le të jetë i paharruar edhe ky dështim i rëndë i institucioneve që duhej ta mbronin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.