Erion Braçe shpërthen ndaj Fatmir Bektashit për ndërtimet në Farkë
“Boll me këtë dallgë halucinante”
Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër ndaj ndërtimeve që po zhvillohen në kodrat e Farkës, duke e konsideruar situatën “skandaloze”. Sipas tij, kompania e ortakut të familjes Berisha po betonizon zonën në mënyrë të pakontrolluar, ndërsa lejet e ndërtimit janë miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.
“Dallgë betoni në kodrat e Farkës; boll me këtë dallgë halucinante që këtu quhet baladë e atje quhet mangalem! Duhet një ekuilibër i ri mes natyrës dhe ndërtimit; duhet tani! Dhe nis te bujqësia, jo te ndërtimi; duhet bërë bujqësia të prodhojë më shumë para sesa pjesa e tokës bujqësore që shitet për t’u bërë dallgë,” shkruan Braçe.
Kompleksi i ri “Ballada” përfshin 142 vila dhe po ndërtohet nga kompania “Kontakt Sh.p.k”, në pronësi të ndërtuesit Fatmir Bektashi. Sipas informacioneve, fakti që kompania ka ortakëri me Argita Berishën dhe Jamarbër Malltezin, të njohur për projektet e mëparshme si kullat e ish-kompleksit “Partizani”, ka rritur shqetësimet për përfitime të mundshme private nga toka publike.
Investimi, për të cilin nuk dihen vlerat e plota financiare dhe burimi i miliardave të shpenzuara, ka ngritur dyshime për një pazar të interesave mes qeverisë dhe investitorëve privatë. Skandali shtohet edhe nga fakti se Fatmir Bektashi rezulton i përfshirë në dy dosje hetimore në SPAK.
Zona e Farkës, e njohur për peizazhet e saj natyrore, duket se po transformohet gradualisht në një “dallgë betoni”, sipas Braçes, duke rritur shqetësimet për degradimin e mjedisit dhe mungesën e kontrollit në ndërtimet e mëdha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




