Sherri në PD, Salianji akuzon Nokën për lidhje me Suel Çelën
Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, e zhvilluar një ditë më parë, u shoqërua me debate të forta dhe përplasje të ashpra mes ish-deputetit Ervin Salianji dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka. Në një përballje direkte, Salianji i kërkoi Nokës dorëheqjen, duke e akuzuar se ka shkatërruar Partinë Demokratike dhe duke e konsideruar përgjegjës për situatën e krijuar me zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Salianji akuzoi drejtuesit e partisë se i dhanë firmat Endri Shabanit, por ai u zgjodh vetëm me votat e mazhorancës socialiste, çka sipas tij ekspozon një dështim politik të rëndë të PD-së.
Tensionet u përshkallëzuan më tej, pasi në mbledhje u hodhën akuza të ndërsjella për lidhje me Suel Çelën, të cilin SPAK e konsideron kreun e një organizate kriminale me bazë në Elbasan. Flamur Noka akuzoi Salianjin se, përmes ndikimit të Suel Çelës, janë penguar demokratët që të marrin pjesë në protestat dhe foltoret e thirrura nga Sali Berisha.
Sipas Nokës, nga Elbasani kanë ardhur ankesa se persona të lidhur me Suel Çelën kanë telefonuar dhe ushtruar presion ndaj demokratëve që të mos i bashkoheshin foltores së Berishës, por të orientoheshin drejt një aktiviteti tjetër të paralajmëruar nga Salianji.
Këto akuza u mohuan kategorikisht nga Salianji, i cili deklaroi se nuk ka pasur kurrë kontakte me persona të botës së krimit dhe se pretendimet e tilla janë “muhabete kot”. Ai u shpreh i keqardhur që, sipas tij, debati në Kryesi po zhvendos vëmendjen nga protesta dhe rrëzimi i qeverisë.
Situata u tensionua edhe më shumë kur Salianji iu drejtua Nokës duke i kujtuar akuza të artikuluara më herët nga Gazment Bardhi, sipas të cilave Suel Çela ishte angazhuar në mbledhjen e firmave për Kuvendin Kombëtar të PD-së në vitin 2021, gjatë përplasjes Berisha–Basha. Salianji i tha Nokës se duhet të tregojë kujdes me akuzat, duke paralajmëruar se mund të përgjigjet me fakte dhe prova.
Mbledhja e Kryesisë zgjati rreth katër orë dhe u zhvillua një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Belinda Ballukut, si dhe pas njoftimit të Sali Berishës për nisjen e protestave kombëtare. Megjithatë, vëmendja kryesore u përqendrua te përplasjet e brendshme në PD dhe lëvizja e re politike e ndërmarrë nga Ervin Salianji, e cila duket se ka hapur një front të ri tensioni brenda partisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



