Çim Peka i nxjerr ‘të palarat’ Salianjit: Pazare, prapaskena dhe akuza
Gazetari Çim Peka ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar në Partinë Demokratike, duke marrë në shënjestër drejtpërdrejt deputetin Ervin Salianji. Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Peka ngre akuza të rënda, duke pretenduar se Salianji po ndjek një linjë të gabuar politike dhe po bashkëpunon në mënyrë të tërthortë me elementë kriminalë, përmes takimeve të fshehta dhe pazareve politike.
Sipas Pekës, takimet e Salianjit me të ashtuquajtur “eksponentë të opozitës” nuk kanë si synim forcimin real të PD-së, por mbajtjen në lojë të figurave të vjetra, ndërsa në prapaskenë zhvillohen pazare që, sipas tij, përfundojnë gjithmonë në favor të qeverisë.
Një nga akuzat kryesore lidhet me mbledhjen e firmave për Endri Shabanin. Peka pyet publikisht pse Salianji dhe Ilir Alimehmeti kanë telefonuar deputetë të PD-së për të siguruar firma, ndërkohë që më pas, sipas tij, janë sulmuar po ata deputetë pse i kanë dhënë firmat në mirëbesim.
Në reagimin e tij, Peka rikujton edhe takime të mëparshme të Salianjit në Elbasan, duke pretenduar se ai ishte paralajmëruar se persona të tillë “në fund shkojnë gjithmonë me qeverinë”, duke e përdorur opozitën vetëm për të rritur pazarin me Edi Ramën.
Gazetari sjell si shembull edhe një rast nga e shkuara, kur sipas tij, Grida Duma kishte informuar Lulzim Bashën se disa individë të lidhur me botën e krimit ishin të gatshëm të ndihmonin PD-në, por kjo ofertë ishte refuzuar. Sipas Pekës, fakti që sot këta elementë shfaqin besim te Salianji dhe bashkëpunëtorët e tij, është vetë alarmues.
Peka shpreh skepticizëm edhe ndaj rolit të disa mediave kombëtare, të cilat i akuzon për lidhje me qeverinë dhe krimin, duke vënë në dyshim sinqeritetin e tyre për një “rinovim” të Partisë Demokratike.
Në analizën e tij, Peka pranon se PD ndodhet në një gjendje të çorganizuar, por thekson se zgjidhja nuk mund të vijë përmes pazareve të vogla apo zëvendësimit të figurave të diskredituara me, siç i quan ai, “kalamaj kafenesh”.
Në fund, gazetari nënvizon paradoksin që, sipas tij, po ndodh brenda PD-së: figura që dje kërkonin largimin e Sali Berishës, sot, sipas Pekës, duan ta mbajnë atë si garanci për mbijetesën e tyre politike, ndërsa synojnë të largojnë figura të tjera për të zënë vendin e tyre.
Sipas Çim Pekës, Partia Demokratike ka nevojë urgjente për një rinovim real, duke iu hapur universiteteve dhe të rinjve, dhe jo duke u mbështetur te pazaret, individët e konsumuar dhe skemat e vjetra politike, përndryshe rrezikon të mbijetojë vetëm sa kohë është gjallë lideri historik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



