Merret vendimi për USB-në me prova për dosjen ‘Balluku’
Këshilli i Mandateve ka marrë vendimin që anëtarët e tij të pajisen me USB-në që përmban provat për dosjen “Balluku”.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes ku po shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, pas debateve mes palëve lidhur me mënyrën e administrimit të materialeve hetimore.
Me këtë vendim, anëtarët e Këshillit do të kenë mundësi të njihen më në detaje me provat përpara se të shprehen me votë mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
Partia Demokratike ka kërkuar që mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve për çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku të zhvillohet më 22 dhjetor. Në krahun tjetër, Partia Socialiste ka propozuar që seanca të shtyhet për muajin janar, ndërsa SPAK ka kërkuar që mbledhja të mbahet brenda një afati sa më të shkurtër, nga tre deri në pesë ditët e ardhshme.
Ndërkohë, avokati i Belinda Ballukut ka kërkuar tre javë kohë për t’u njohur me dosjen hetimore. Kreu i ri i SPAK, Klodian Braho, nuk ka vendosur një afat konkret për kohën që duhet t’i jepet mbrojtjes ligjore për përgatitje, ndërsa përfaqësuesit socialistë janë shprehur në një linjë me kërkesën e avokatit të Ballukut.
Gjatë diskutimeve, deputeti demokrat Gent Strazimiri i ka drejtuar pyetje prokurorit të çështjes, Dritan Prençi, duke ngritur shqetësimin për zvarritjen e hetimit dhe duke theksuar se Balluku, sipas tij, nuk po bashkëpunon me drejtësinë, pasi nuk ka dhënë dorëheqjen dhe dyshohet se po ushtron presion ndaj dëshmitarëve.
Prokurori Prençi, së bashku me prokuroren tjetër të SPAK, kanë theksuar se afati i arsyeshëm për njohjen me provat duhet të jetë nga tre deri në pesë ditë, për të shmangur vonesat në proces.
Aktualisht, ende nuk ka një vendim përfundimtar mbi datën se kur do të zhvillohet mbledhja e ardhshme e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





