E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zhduket vera LUKSOZE miliona euro nga vila e Ergys Agasit
Lajme

Zhduket vera LUKSOZE miliona euro nga vila e Ergys Agasit

Shpallet në kërkim djali i xhaxhati të tij

Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë ka përfshirë institucionet shtetërore, pas zhdukjes së një sasie vere me vlerë miliona euro, e zbuluar në vilën e Ergys Agasit. Për këtë rast është shpallur në kërkim kushëriri i tij, Eno Agasi.

Mësohet se gjatë një kontrolli në vilë, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) konstatuan ekzistencën e një kantine vere, për të cilën dyshohej se ishte mall kontrabandë. Menjëherë pas këtij konstatimi, është njoftuar Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Burime zyrtare bëjnë me dije se Doganat kanë kryer inventarizimin e mallit për disa orë me radhë, duke përllogaritur një dëm prej rreth 400 milionë lekësh për buxhetin e shtetit, si pasojë e mospagimit të akcizës. Për shkak se kontrolli është kryer gjatë natës dhe nuk ishte e mundur transportimi i menjëhershëm, malli është lënë në ruajtje në ambientet e vilës.

Gjatë natës, dyshohet se Eno Agasi ka larguar të gjithë sasinë e verës nga kantina, si dhe ka hequr serverin e kamerave të sigurisë. Kur furgonët e Doganës janë rikthyer për të marrë mallin dhe për ta transportuar drejt ambienteve të ruajtjes, është konstatuar se kantina ishte bosh.

Sipas të njëjtave burime, Eno Agasi është shpallur në kërkim për disa akuza të rënda, përfshirë veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, kontrabandë të mallrave që paguajnë akcizë, si dhe magazinim të paligjshëm të mallrave subjekt akcize. Prokurori i çështjes, Bledar Valikaj, po heton gjithashtu për kallëzim të rremë administratorin e kompleksit ku ndodhet vila.

Ndërkohë, Ergys Agasi është shpallur më herët në kërkim nga SPAK, së bashku me Ermal Beqirin, pasi akuzohen se kanë urdhëruar rrëmbimin e biznesmenit Gerond Mece, me qëllim detyrimin e tij për t’u tërhequr nga procedurat e tenderimit.

Në kuadër të së njëjtës çështje, nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” janë vendosur Mirlinda Karcanaj, drejtoreshë e AKSHI-t, si dhe nën-drejtoresha Hava Delibashi, ndërsa katër persona të tjerë janë nën masa më të lehta sigurie.

Hetimet vijojnë.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.